Video: Sharje e dhunë në stacionin e policisë në Mitrovicë

Mësimdhënësi N. B rrëfeu sonte në KALLXO.com dhunën psikike dhe fizike që ai pretendon se i ka përjetuar nga disa zyrtarë policorë në Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë.

Ai tregon se ishte thirrur nga policia për të dhënë deklaratë për një rast të kanosjes. Ai në këtë rast ishte i dyshuar ndërsa rrëfen se si e trajtuan zyrtarët policor brenda stacionit.

“Kur zbrita në korridor, telefonin e përdora si dëshmi për me mbrojt vetveten edhe kur u ula në zyrën e tyre kishin qenë policët dhe kish qenë edhe një polic unë nuk e di cili ka qenë qëllimi dhe pse ka ardh aty. Pastaj e kuptova që atë dikush e ka dërgu për me më kërcënu apo me më frikësu”, tregon N.B.

Tutje ai shton se kishte kërkuar një avokat sipas detyrës zyrtare ndërsa zyrtarët policor kishin filluar të talleshin më të duke i thënë se “cilin dëshiron të ta sjellim?”.

“Kur kam mbërri në stacion, unë nuk e kom ditë as për çka. Pasi jam ulë shumë qetë kam kërku një avokat sepse pa avokat nuk flas është e drejtë e imja. Ja ka nis polici me njëfarë mënyre injorante me bo hajgare me mu, edhe po me pyet cilin pe don Rrecajn a Tomë Gashin cilin pe don. Pas disa minuta po më cingëron telefoni e shtina dorën në xhep për me ndal dhe më ka pyet ama telefonin dhe në mënyrë të dhunshme ku dëgjohet edhe në audio incizim të cilin e kam dërguar në Inspektorat Polior dhe dëgjohet aty deri sa më goditi. Pastaj filloi edhe me sharje dhe ofendime duke më thënë se mësuesit si ti na kajtën nanën, pra një fjalor jo etik jo profesionale. Policja veç shikojke edhe keshke, e panë se unë nuk jam deklaratë pa ardh avokati, të gjitha këto maltretime kanë ndodhë për rreth 40 minuta. Pas disa minutave fillova mos me u ndi mirë u qova me shku në banjo mi la sytë dhe u ula për një moment në banjo, ai tentoi me dhunë të më kapi për krahu në banjo unë jam qu në këmbë dhe kam dalë në korridor jam ulë. Policja i ka policit kujdes nga kamerat, sepse brenda zyrës nuk kishte kamera e jashtë po. Pastaj unë ju kam thënë se brenda nuk hy sepse nuk kam siguri”, thotë ai.

Në video-incizimin të cilin e kishte siguruar KALLXO.com, dëgjohej gjuha e përdorur nga ana e zyrtarëve policor të cilët kishin ftuar  mësimdhënësin në cilësinë e të dyshuarit për tu intervistuar në lidhje me një kanosje.

Në video incizim dëgjohet se si zyrtarët policor i drejtohen atij se nuk mund të i sigurohej avokati për shkak se është kohë pandemie e madje në një pjesë, ai pretendon se njëri nga zyrtarët policor e ka goditur dy herë mbrapa kokës me shuplakë.

Të gjitha këto të dhëna së bashku me një ankesë dhe audio-incizim, N.B i kishte dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ankesën , ai e kishte dërguar në tetor të këtij viti ndërsa më 13 tetor e njëjta ankesë ishte transferuar në Departamentin e Brendshëm për Verifikim të se kaluarës në kuadër të Policisë së Kosovës për hetim të mëtutjeshëm disiplinor.

Gjithashtu në njoftimin që kishte pranuar N.B nga IPK më 24 nëntor, thuhet se IPK nuk kishte gjetur asnjë element të veprës penale në ankesën e palës.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Të njëjtit kanë pranuar se nuk kanë gjetur elemente të veprës penale ndërsa thonë se nëse ka të tilla, lënda do të rikthehet për hetim të mëtutjeshëm.

“IPK ka pranuar ankesën e qytetarit në fjalë dhe pas trajtimit dhe analizimit të ankesës është vlerësuar se në rastin në fjalë nuk ka elemente të veprës penale dhe si e tillë është dërguar për hetim disiplinor në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës. Sidoqoftë, lidhur me këtë rast IPK është në kontakt me zyrtarët e PK-së që janë duke e trajtuar në aspektin disiplinor, që nëse gjatë fazës së hetimit nga ana e tyre gjendet ndonjë element i veprës penale, e njëjta ankesë mund të rikthehet për hetim penal bazuar në fushëveprimin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.