Mësimdhënësi i informatikës: Kam ligjëruar informatikë me shkumës në dërrasë të zezë

Zenun Nimani nga Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Gjakovë, i cili është mësimdhënës i lëndës së informatikës në Gjakovë, gjatë emisionit “Kallxo Përnime” ka rrëfyer për vështirësitë e shpjegimit të lëndës së informatikës në shkolla, duke thënë se ai ka ligjëruar informatikë me shkumës në dërrasë të zezë për shkak të mungesës së kompjuterëve.

Gjatë rrëfimit të tij Nimani përshkroi takimin me një ish-nxënëse të tij.

“Një ish-nxënëse e jona pas klasës së 9-të shkoi në shkollën “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë. Shkollë private… Si tri vite nxënësja më e mira aty, si maturante ajo erdhi që klasëve të 9-ta t’ua prezantojë shkollën “Gjon Nikollë Kazazi”. Erdhi në shkollën ku edhe ajo vetë e kishte kryer klasën e 9-të. Kur u njoftova që ka ardhur ajo shkova në klasë, pasi u kryen pyetje-përgjigjet me nxënësit. I thashë unë e kam një pyetje: ‘Më trego drejtë, kur ke shkuar në “Gjon Nikollë Kazazi’ dhe je ulur në kabinet të informatikës, je ulur para kompjuterit tënd, i ke ekzekutuar ato detyra dhe mësime të dhëna nga profesori, a të kam dalë unë si hije përballë si i çmendur me shkumës në dërrasën e zezë duke skicuar?…” – rrëfeu Nimani duke thënë se informatikën e ka ligjëruar me shkumës në dërrasën e zezë.

“Informatikë kam ligjëruar në drasën e zezë duke skicuar në dërrasën e zezë. Në 3 shkolla kam punuar, në Cermjan na kanë sjellë disa televiziona që një vit e diçka. Në atë kohë ministria e arsimit na kanë sjellë edhe 4 llaptopa të dalë nga përdorimi” – tha ai.

Nimani po ashtu shpjegoi se prezantimet e nxënësve në shkollën ku punon momentalisht bëhen duke u lidhur me projektorin që u është sjellë para një viti kurse nxënësit në shtëpi i përgatisin mësimet në llaptopët dhe kompjuterët e tyre.

E pyetur për këtë gjendje, Eranda Baçi, drejtoreshë e Drejtorisë komunale të Arsimit në Gjakovë, tha se DKA e ndan buxhetin sipas planifikimeve të shkollave.

“Menaxherët e shkollave apo drejtorët e shkollave i bëjnë planifikimet pasi DKA e ndan buxhetin sipas planifikimeve të shkollave dhe pajisjet teknologjike kërkohen nga vetë shkolla”  – tha Baçi.

Tutje, e para e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë tha se nuk e beson që në shkollat në komunën e Gjakovës ka shkolla pa kompjuterë apo kompjuterë dhe llaptopa jashtë përdorimit.

“Shkollat e kanë mundësinë të planifikimit dhe ne u përgjigjemi planifikimeve të tyre. Normalisht jo të gjithave, por me prioritete, dhe nuk e besoj që ka shkollë në komunën e Gjakovës  që nuk ka kompjuter dhe mundësi me pasë qasje të profesorëve me pasë qasje në kompjuterët e shkollës sidomos këta që e japin lëndën e TIK-ut. Shumë e çuditshme sepse drejtorët janë shumë të përgjegjshëm dhe nuk e lejojnë që shkolla të jetë në atë gjendje si e përshkroi z. Zenun” – shtoi ajo.