Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit. Foto: Facebook.

Mësimdhënësi dyshohet se rrahu nxënësin, reagon Ramiz Lladrovci

Në rrjete sociale është shpërndarë sot një video në të cilën shihet se një mësimdhënësi i shkollës fillore të mesme të ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi, javën e kaluar.

Lidhur më këtë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai ka njoftuar se ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit të marrë masat ligjore si dhe ka njoftuar organet e rendit dhe Qendrën për Punë Sociale, për veprime konform ligjit.

“Sjelljet e asnjë arsimtari apo zyrtari në komunën tonë të cilat bien ndesh me ligjin, nuk lejohen as sot, as do të lejohen në të ardhmen. Andaj, pres nga Drejtoria e Arsimit dhe organet e rendit për vendimin e tyre për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, cilido që anëtarësohet në PDK, nuk amnistohet nga sjelljet e paligjshme.

“Janë për keqardhje interpretimet e disa personave keqdashës të cilët e kanë ndërlidhur aktivitetin partiak me atë profesional. Kjo ndërlidhje nuk ekziston as nuk mund të ekzistoj ngase, cilido që anëtarësohet në PDK, nuk amnistohet nga sjelljet e paligjshme”, ka shkruar ai.

Ai thotë se edhe më parë i ka denoncuar sjelljet e pahijshme të personelit arsimor, por që sipas tij, pavarësisht kësaj, ata janë kthyer ne procesin mësimor.

“Unë, nuk mund të amnistoj askënd që bie ndesh me ligjin, pavarësisht bindjes politike, andaj mirëpres vendimet e organeve gjegjëse rreth rastit, për veprim të mëtejmë”, ka shkruar Lladrovci.