Një grua me mbulesë fetare, Ilustrim: Pixabay
Mësim alternativ apo ta heqë mbulesën - opsionet e Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë për nxënësen e mbuluar
Një 18-vjeçare, nxënëse në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, është paraqitur në shkollë me mbulesë fetare më 02.09.2024, në ditën e fillimit të vitit shkollor 2024/2025. Dhe, për shkak të mbulesës, asaj nuk i është lejuar ta vazhdojë procesin mësimor deri më tani.
Familja e 18-vjeçares ka kontaktuar Labinot Maliqin, imam në Prishtinë, i cili ka një kohë që trajton raste të nxënëseve që vendosin mbulesën gjatë shkollimit e që e luan rolin e ndërmjetësuesit mes familjes së nxënëses dhe drejtorit të shkollës.
Drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, Musa Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se nxënëses i është ofruar mundësia të vijojë procesin mësimor në formë online nëse vazhdon ta mbajë mbulesën.
E drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, ka treguar se nxënësja që ka vendosur mbulesën i ka shkruar një email dhe ka kërkuar që t’i mundësohet shkollimi.
Përveç tyre, rastin e nxënëses së Gjimnazit “Bedri Pejani” që vendosi mbulesën dhe nuk është duke vijuar mësimin është duke e trajtuar edhe Prokuroria e Pejës.
Në anën tjetër, sipas udhëzimit administrativ numër 06/2014 të Ministrisë së Arsimit, nxënësve u ndalohet bartja e uniformës fetare.
Përfaqësuesi i familjes së nxënëses që ka vendosur mbulesën, Labinot Maliqi, në një bisedë për KALLXO.com tha se drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, Musa Nikçi, pasi e kishte parë nxënësen me mbulesë më 02.09.2024 e ka larguar nga Gjimnazi.
Sipas Maliqit, nxënësja e Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, e cila ka vendosur mbulesën, ka zotësi veprimi, sepse i ka mbushur 18 vjet.
“Më 02.09.2024, ditën kur është largu pa një vendim zyrtar nga drejtori Musa Nikçi, nëitën e parë të vitit të ri shkollor, qysh në orën e parë, kur e pa drejtori me shami e ka largu i ka thanë: “Këtu nuk mund të hysh në këtë institucion, përderisa na e kemi një ndalesë administrative. Hjeke shaminë, mundesh me ardhë në shkollë, po me shami nuk ke të drejtë që të vijosh mësimin'” – ka thënë Maliqi më 24.09.2024.
Maliqi ka treguar se çfarë i kishte thënë drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, pasi ishin takuar për të biseduar për rastin e nxënëses që ka vendosur mbulesën.
“E kam taku personalisht [drejtorin e Gjimnazit “Bedri Pejani”], e kam vizitu në Gjimnaz dhe ai thirret që unë vetëm se po e mbështes dhe po e praktikoj dhe po e zbatoj udhëzimin administrativ dhe nuk po bëj diçka tjetër” – tha Maliqi.
Ai ka treguar se e kanë njoftuar për rastin edhe Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Kurse, nxënësja që ka vendosur mbulesën, sipas Maliqit, është shumë e shqetësuar pasi nuk është duke vijuar mësimin.
“Kjo është java e katërt që vajza, nxënësja, është në shtëpi, për shkak të largimit që i është bërë qysh në ditën e parë të vitit të ri shkollor, më 02.09.2024… Ajo është shumë e shqetësuar, ndihet e bullizuar, e diskriminuar dhe përfundimisht e përjashtuar nga shkolla, për shkak të ndalesës administrative, të cilën drejtori fuqishëm mundohet ta zbatojë” – ka shtuar Maliqi.
Maliqi pretendon se nxënësja e Gjimnazit “Bedri Pejani” nuk e ka vendosur mbulesën se i është imponuar nga prindërit.
“Nxënësja e tij nuk e ka vendosur shaminë duke iu imponuar, e ka vendosur me bindjen dhe vullnetin e saj të lirë dhe këtë është i bindur edhe vetë drejtori i shkollës dhe stafi i asaj shkolle. Pra, nuk ka asnjë element që mund të dyshojë dikush se vajzës i është imponuar shamia, përkundrazi ajo është shumë e vetëdijshme, shumë e vendosur” – ka theksuar Maliqi.
KALLXO.com i ka kërkuar Maliqit që ta njoftojë familjen e nxënëses që ka vendosur mbulesën për t’u deklaruar për këtë rast, por ai ka thënë se ata nuk kanë pranuar të japin intervistë, deklarim për ndonjë media.
Sipas Maliqit, prindërit e nxënëses që ka vendosur mbulesën kanë biseduar për këtë rast me drejtorin e Arsimit në Pejë, Naser Gega.
“Po, kanë bisedu me të. Drejtori [i Arsimit] edhe ai e mbështet drejtorin e Gjimnazit që ta zbatojë udhëzimin administrativ” – ka thënë Maliqi.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar se javën e kaluar, prindi i nxënëses që ka vendosur mbulesën përmes një email-i i ka njoftuar për rastin.
“E kemi marrë [email-in] prej prindit të vajzës, e cila i ka shpreh këto krejt shqetësimet edhe ka thënë që iu ka pamundësu vajzës së saj për me shku në shkollë, vajza e saj është 18-vjeçare dhe ne secilin rast që e pranojmë, ne e trajtojmë, eventualisht tash, varësisht nga procesi se çfarë del” – është përgjigjur Nikçi më 24.09.2024.
Sipas Nikçit, është hapur rast për veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, për të shikuar nëse ka elemente të kësaj vepre penale ndaj personave të përfshirë në rast.
“Fillimisht rasti është raportu te kryeprokurori, kryeprokurori ka autorizu që të hapet rasti dhe të shikohet a ka elemente të veprës penale, t’i ndahet një prokurorit, ose prokuroreje në këtë rast, që iu ka nda një prokuroreje, e cila siç e di unë ka fillu m’i ndërmarrë veprimet” – ka thënë Nikçi.
Tutje, në rast se nuk ndërmerret asgjë, Maliqi është përgjigjur duke thënë se nxënësja do të kthehet në gjimnaz me mbulesë.
“Unë mendoj që vajza do të kthehet në shkollë dhe nuk do t’i mendojmë fare opsionet e tjera, për shkak se do të jetë e mundshme dhe do të mundësohet shumë shpejt që vajza të kthehet në shkollë me shami” – ka deklaruar Maliqi.
Drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, pretendon se 18-vjeçarja që e ka vendosur mbulesën në fakt i kishte kumtuar në klasën e 11-të se do ta vendoste mbulesën në vitin e ardhshëm shkollor.
“Në fund të vitit, në klasën e 11-të u ardhë më ka njoftu, kemi bo një debat, tha: “Drejtor, në klasën e 12-të e kam ndërmend me vu shaminë”. I thash: “Me m’ndëgju mu, e shtyn praktikimin e saj për shkak që nuk e lejon ligji dhe nuk e lejon udhëzimi [administrativ] dhe bie ndesh, dhe kjo nuk të lejon me ardhë si nxënëse e rregullt në shkollë” – ka thënë drejtori Nikçi më 24.09.2024.
Ndërsa, kur nxënësja është paraqitur me mbulesë në fillim të vitit shkollor 2024/2025, në klasë të 12-të, në Gjimnazin “Bedri Pejani”, Nikçi tregoi se i ka thënë që ta heqë mbulesën ose ta shtyjë afatin për praktikimin e saj, në mënyrë që ta vijojë mësimin në Gjimnaz.
Nikçi e ka pohuar se është konsultuar me drejtorin e Arsimit në Pejë, Naser Gega, para se t’i thoshte nxënëses që të largohet nga Gjimnazi për shkak se kishte vendosur mbulesën. Ai madje tha se është takuar edhe me prindërit e nxënëses.
“Në fillim të vitit ka ardhë [me mbulesë, në Gjimnaz]… i thash: “Udhëzimi nuk të lejon me qenë e rregullt dhe e barabartë me bashkëmoshatarët e tu në vijimin e mësimit të rregullt”. Tha: “Çka me bo?”. I thash: “Duhesh me zgjedhë mundësinë – ose me hjekë, me shty afatin e praktikimit derisa ta mbyllësh Gjimnazin… Edhe ajo ka praktiku, tha: “Jo nuk du me hjekë [mbulesën]”. Edhe ka mbetë që na nuk kemi mundësi me leju, për shkak të udhëzimit dhe ligjeve që janë në fuqi” – ka treguar Nikçi.
Ai tha se janë duke shqyrtuar mundësinë që nxënësja ta ndjekë mësimin alternativ, në formë online, me ndonjë platformë digjitale dhe se profesorët e Gjimnazit janë të pajtimit dhe të gatshëm që të ligjërojnë në këtë formë për nxënësen, në mënyrë që ajo ta përfundojë Gjimnazin.
“Ke në shkollë sot ajo. I tregova, në cilën formë që ti gjen zgjidhje që nuk don me hjekë shaminë, ne jemi të gatshëm me bashkëpunu me ty se duhet… Në kohën masdite, kur mësimdhënësit dalin, duhet me punu me të, me ia dërgu materialet, njësitë mësimore, m’u vlerësu për to” – tha Nikçi.
“Ajo ka dy mundësi: me marrë përgjegjen në shkollë dhe me fillu në platformën online, me vazhdu procesin mësimor dhe me mbyll vitin shkollor – nën 1, dhe e dyta me shku në Ministri [të Arsimit] dhe me ba një përpjekje, me ia dhanë një rekomandim ata se kësaj çikës i takon e drejta e shkollimit, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me udhëzimin [administrativ]” – ka shtuar Nikçi.
Për mësimin alternativ, sipas Maliqit, nxënësja nuk pajtohet pasi ajo insiston të jetë nxënëse e rregullt edhe në vitin e fundit shkollor në Gjimnazin “Bedri Pejani”.
“Prej fillimit ia ka propozu këtë alternativë, ose me hjekë shaminë me ardhë në shkollë ose nëse don kështu me shami, po jo me kanë në klasë bashkë me shoqet dhe shokët e saj… Jo, nuk pranon [nxënësja], sepse ajo nuk është pranuar në shkollë për me ndjekë një mësim alternativ, po për ta ndjekë një mësim të rregullt qysh e ka ndjekë për dy vite edhe është një nxënëse shembullore, si për nga sjellja, si për nga suksesi” – ka deklaruar Maliqi.
Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, e ka mohuar se e kanë takuar prindërit e nxënëses, mirëpo Drejtoria e Arsimit në Pejë përmes një email-i ka pranuar një kërkesë nga vetë nxënësja.
“Prindërit as që i kemi pa, as nuk e kemi asnjë ankesë prej palës… Vetëm dje [23.09.2024] vajza më ka shkru në email-in zyrtar që kërkon që t’i mundësohet shkollimi… Thotë se i kam mbushë 18 vjet edhe kam të drejtë me shku me shami në shkollë, afërsisht diçka kështu thotë, kërkon m’i gjetë zgjidhje edhe tash mbi bazën e saj jemi t’u diskutu edhe kemi me bo ma të mirën të mundshme” – ka thënë Gega më 24.09.2024.
Drejtori Gega tha se nuk i është përgjigjur ende nxënëses në email-in që i ka dërguar, pasi janë duke u konsultuar për t’iu përgjigjur mbi bazën ligjore. Sipas tij, drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, ishte konsultar me të për rastin dhe se është i informuar me “milimetra” për këtë rast.
“Është konsultu me mua lidhur me rastin dhe i kam thënë se është udhëzimi administrativ që i definon saktë këto gjëra, ne jemi zbatues të ligjit, nuk jemi interpretues, as hartues të ligjeve” – ka treguar Gega.
“Jemi duke u marrë me këtë çështje, me drejtorin e shkollës edhe unë, bashkarisht për me mujtë me gjetë zgjidhjen ligjore, cila është… Nuk ka largim me shkrim prej shkollës, iu kanë dhanë disa oferta nxënësve, në bazë të kompetencave që ka shkolla, disa mundësi dhe në këtë rast, nuk kemi përgjigje pozitive prej palës” – ka shtuar Gega.
Më tej, Gega tha se në javën e parë të mësimit në vitin shkollor 2024/2025, nxënëses së Gjimnazit “Bedri Pejani” i ishte kërkuar, meqë ka qenë dy vjet në këtë Gjimnaz pa mbulesë fetare, të vijonte mësimin njëlloj, dhe kishte mbetur që ajo të reflektojë.
Në javën e dytë të vitit shkollor, Gega tha se maturantët kanë qenë në ekskursion dhe nuk është mbajtur procesi mësimor.
“Java e tretë d.m.th. tash po fillon kjo javë, është mesi i javës kur [nuk kuptohet] reflektim prej vajzës me hjekë shaminë, nuk ka pranu, edhe tash na jemi duke u marrë me këtë çështje çka kemi mundësi” – ka thënë ai.
Ata kanë kontaktuar edhe me Ministrinë e Arsimit për nxënësen e Gjimnazit “Bedri Pejani” që ka vendosur mbulesën.
Ndërkaq, KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.
“Kanë kontaktuar, kemi provuar me bisedu edhe me ta, hajde ta gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme që shkon në favor të të gjitha palëve” – tha Gega.
Në udhëzimin administrativ të MASHTI-t me numër 06/2014, në të cilin flitet për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, në nenin 3, ku flitet për ‘Veprimet e ndaluara’, në paragrafin 1.13 thuhet “Nxënësit i ndalohet: bartja e uniformës fetare”.
Për këtë udhëzim administrativ Ministria e Arsimit është kritikuar nga një pjesë e shoqërisë, e cila është kundër tij, kur bëhet fjalë për ndalimin e uniformës fetare.
Kurse, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 23.09.2023, për këtë udhëzim administrativ tha se shoqëria duhet të diskutojë dhe të definojë se çka janë uniformat fetare.
“Udhëzimi administrativ që ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime e përmend që është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet ta ketë një diskutim, e para: Çka janë uniforma fetare? A jemi ne të gatshëm që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshur me uniforma fetare në shtetin tonë që i përcaktohet karakteri i vet me Kushtetutë, ashtu siç i garantohet edhe e drejta e shkollimit. Ky është një diskutim shumë përmbajtjesor që nuk mund të bëhet me kushtëzime e me imponime dhe që duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve tanë”- kishte thënë ministrja Nagavci më 23.09.2023.
Ndërsa, imami në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka thënë po ashtu se në dhjetë vitet e fundit i ka pasur mbi 50 raste të vajzave, nxënëseve që kanë vendosur mbulesën gjatë shkollimit, raste të cilat i ka ndërmjetësuar.
Shënim: Artikulli është edituar në pjesën ku përfaqësuesi i familjes, Labinot Maliqi, i referohet nxënëses si “person juridik”. Maliqi ka thënë se kur e ka përmendur këtë term ka menduar në atë që nxënësja ka zotësi veprimi. Koha e editimit: 25.09.2024, ora 17:58.