Mesazhi nga SHBA: Votoni, miqtë e Shqipërisë në Uashington janë me ju

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka shpërndarë thirrjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Washington ku i kërkohet autoriteteve shqiptare që t’i sigurojnë votuesve mundësinë për të votuar të lirë ditën e dielë.

“Ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit janë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna”.

Deklarata: “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare në 25 Prill, ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit janë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna. Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata që janë aktualisht në detyrë si dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të prosperuar për popullin shqiptar.”

Ndërkohë vetë Kim, përmes një postimi në Twitter, siguron shqiptarët se SHBA është me ta teksa ata votojnë.

“Në një shfaqje të jashtëzakonshme të mbështetjes për demokracinë në Shqipëri, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në SHBA, përgjegjës për marrëdhëniet e jashtme, kanë lëshuar deklarata (një dje, një sot) në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit. Miqtë e Shqipërisë në Uashington janë me ju ndërsa votoni!”, shkruan në mesazhin e saj ambasadorja Kim. oranews