Mesazhi i myftiut Tërnava me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka njoftuar se sonte është ‘Natë e Madhe’, që praktikisht besimtarët e besimit islam nisin fillimin e muajit të Ramazanit.

Tërnava përmes një konferencë për media, ka thënë se përgjatë këtij muaji besimtarët nuk mund të falin namazin e taravive në xhami, për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Ai ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.

Muaji i Ramazanit nisë të premten më 24 prill.

Ky është fjalimi i plotë i myftiut Naim Tërnava:

Sonte është Natë e madhe – Nata e Ramazanit që edhe praktikisht besimtarët myslimanë nisin fillimin e muajit të madhëruar të Ramazanit.

Veprimi i parë për besimtarët mysliman se po nisim muajin e agjërimit është  falja e namazit të teravive, e që fatkeqësisht sivjet jemi të privuar përkohësisht nga ky ibadet për ta kryer bashkërisht  në xhamitë tona, për shkak të  gjendjes së krijuar në botë e edhe në vendin tonë si pasojë e Pandemisë globale nga virusi Covid-19.

Vëllezër e motra,

Këtë herë muajin e agjërimit po e nisim në rrethana të gjendjes emergjente nga masat e marra për parandalimin e pandemisë COVID 19.

Xhamitë tona përkohësisht janë pa xhematin e tyre ,në këtë gjendje është edhe Qabeja e bekuar, Xhamia e Pejgamberit në Medinë si dhe  xhamitë tjera anë e këndë botës.

Ramazanin po e nisim në këtë gjendje, me shpresë te i Madhit Zot se fundi i tij do na gjejë në gjendje normale, në xhamitë  e shkollat tona si dhe në vendet tona të punës.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është njëra prej pesë shtyllave kryesore të fesë sonë me të cilin besimtari shpreh përkushtimin, bindjen, sakrificën e dashurinë ndaj Krijuesit.

Për këtë Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë….. “.

Agjërimin e muajit të Ramazanit  besimtarët e bëjnë vetëm për Zotin, ibadet ky që për nga rëndësia, porositë dhe mesazhet është më shumë se  një adhurim.

Përveç kësaj, muaji i Ramazanit kultivon mëshirën, faljen,  lutjen, reflektimin, pendimin e sakrificën.

Po ashtu gjatë muajit të ramazanit besimtarët janë më të ndjeshëm, më të kujdesshëm, më të disiplinuar, më solidar  e më të dashur.

Muaji i ramazanit na ofron rreth sofrës së tij duke na bërë më unik e më të respektueshëm.

Agjërimi përveç që është sakrificë, ai dihet që na fisnikëron. Sot njerëzimi duhet të mësoj nga mësimet e porositë e Agjërimit. Edhe populli ynë duhet të përfitoj nga ky muaj të jemi më fisnik, të disiplinuar e unik.

Në këtë kohë që jemi,  ne si popull e si vend për tu përballuar suksesshëm me pandeminë na duhet më shumë se kurrë disiplina, ndërsa për të tejkaluar gjendjen ku jemi na duhet uniteti e bashkimi. 

Vëllezër e motra!

Muaji i Ramazanit është muaj i paqes, muaj i Kuranit e muaj i bashkimit, kjo për faktin  se ne, gjatë këtij muaji shtojmë lutjet e ibadetet, rrisin ndjesinë e përkushtimit ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë e ndaj familjes.

Po ashtu rrisin ndjesinë e solidaritetit, ndihmës e bamirësisë dhe është Muaji në të cilin edhe lutjet drejtuar Zotit pranohen më shumë.

Vëllezër e motra

Të nderuar besimtarë!

Kërkohet nga ne që gjatë këtij muaji t’i shtojmë adhurimet tona, t’i shtojmë veprat e mira, të jemi më solidarë e human, më tolerant e mirëkuptues krahas  muajve të tjerë.

Fare në fund  më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar që këtë muaj ta përjetoni me të gjitha mirësitë e begatitë e tij, duke e lutur Zotin që të na lehtësojë agjërimin dhe të gjitha adhurimet tjera, të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e Ramazanit, si dhe të na fali e të na mëshirojë!

Urime të gjithëve muaji i Ramazanit!