Foto: Misioni i ShBA-ve në Nato, Facebook

Mesazhi i Lajçakut dhe Eskobarit nga selia e NATO-s: ShBA, aleatët e NATO-s dhe BE të përkushtuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, si dhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u takuan sot në selinë qendrore të NATO-s, me zëvendës sekretarin e përgjithshëm, Mircea Geoana.

Misioni i SHBA-së në NATO kanë shpërndarë një fotografi nga ky takim në rrjetin social “Facebook”.

Në përshkrimin e fotografisë thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për të gjithë evropianët.

“Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë të NATO-s dhe BE-ja janë të përkushtuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën për të gjetur një zgjidhje dhe rrugë përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve” – është shkruar tutje.

Në njoftimin e bërë më 6 janar për këtë takim është treguar se nuk do të ketë mundësi mediatike, por fotot e marra nga fotografët e NATO-s do të jenë të disponueshme në faqen e internetit të NATO-s, pas ngjarjes.