Katedralja 'Nënë Tereza" - Foto: KALLXO.com

Mesazhi i ipeshkvit të Kosovës për Krishtlindje: Duajeni atdheun dhe njëri-tjetrin

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka organizuar sot në mbrëmje një pritje solemne për nder të festës së Krishtlindjeve në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Liderë shtetërorë, politikë, përfaqësues të ambasadave të huaja në Prishtë dhe të bashkësive fetare kanë uruar ipeshkvin e Kosovës Dodë Gjergji me rastin e festë së Krishtlindjeve.

Ipeshkvi Gjergji  ka ndarë porosinë me mysafirët që përçohet çdo vit me rastin e festës, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta duan më shumë atdheun tyre, njëri -tjetrin dhe të mos i harrojnë veprat e mira.

Ipeshkvi Gjergji ka veçuar pjesëmarrjen e të ftuarve në këtë pritje me rastin e festës duke e konsideruar si një ngjarje me rëndësi.

“Dëshiroj të falënderoj Zotin për këtë mundësi që na jep që të kremtojmë këtë festë të Krishtlindjes në këtë pritje solemne së bashku me myftiun Naim Tërrnava, me Presidentin, me kryeministrat në ardhje e në shkuarje, me ambasadorë e përfaqësues të institucioneve të ndryshme”, ka thënë ipeshkvi I Kosovës, Dodë Gjergji.

Ai ka thënë para të pranishmëve se njerëzit duhet ta duan njërit tjetrin dhe t’i shikojnë vetëm shpirtin dhe t ‘i dhurojnë zemrën për shkak se siç ka thënë ai, është mesazhi i Krishtlindjeve.

Ipeshkvi Gjergji ka folur edhe për vuajtjet e njerëzve të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, duke falënderuar gjithë ata që kanë kontribuar me ndihma.

“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira. I bekoj gjithë ata njerëz që bëjnë vepra të mira mbi tokë pa marrë parasysh a janë katolik apo mysliman, të pabesim apo të papërcaktuar, janë në kërkim apo në hutim. Gjithkush që bën mirë mbi tokë duhet ta ketë bekimin e Zotit”, ka thënë ai.

Ipeshkvi ka bërë vërejtje edhe ndaj atyre që stopojnë proceset e  avancimit të Kosovës.

“Disa anëtarë të familjeve europiane në vend që të na ndihmojnë na nxjerrin nga identiteti ynë europian dhe na gjykojnë për mbishtresa kulturore dhe na shtyjnë në iniciativa hibride duke na konsideruar si një etnitet ndryshe nga ta”, ka thënë Gjegji.