Foto: Ambasada e SHBA në Kosovë, Facebook
Mesazhi i Hovenier: Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e tij
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në strukturat atlantike, por sipas tij, kjo nuk bëhet si shkop magjik.
Ai ka thënë se, Kosova duhet të fitojë edhe njohjen e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj.
Derisa gjatë fjalimit ai kujtoi edhe një bisedë me gjyshin e tij, që i kishte thënë “të mos urinonte në dyert e klubit që dëshiron t’i bashkohet’.
“Gjyshi im njëherë thoshte dhe më falni për natyrën e pagdhendur të saj (thënies): Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e shtëpisë së klubit”- u shpreh ai.
“Nuk e di se si bëhesh anëtar i BE-së pa pajtimin e BE-së. Dhe kjo nënkupton pajtim me shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Ju duhet t’i bindeni ato. Ne duam të ndihmojmë” – tha ai.
“Disa nga gjërat që unë i shoh shumë befasuese nga bisedat e mia me akterë këtu në Kosovë është: janë sugjerimet e padeklaruara se ka një rrugë përveç dialogut. Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë, në ndonjë mënyrë veç do të kërcasim gishtat tonë ose do ta përdorin shkopin magjik dhe të bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe BE-së. Bota nuk funksionin kështu dhe duhet të jem i qartë për këtë”- ka thënë tutje ai.
Hovenier kështu ka deklaruar ai në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci të mbajtur më 25.09.2024 në Prishtinë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022.