Mesazhi i Edi Ramës për Kosovën 'vëllazërore' dhe Serbinë 'miqësore'

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka thënë se shpreson që Kosova “vëllazërore” dhe Serbia “miqësore”, të zgjidhin këtë konflikt përpara se Bashkimi Evropian të zbatojë masa të forta kundër tyre.

“Shpresoj shumë që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë kthim në vete si shtete evropiane përgjegjëse”- ka thënë Rama.

Ai ka ripostuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili ka kërkuar sa më shpejtë shtensionim të situatës dhe zgjedhje të parakohshme, duke thënë se BE nuk mund të ishte më e qartë.

“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë. Vazhdimi i këtij jo-plani absurd duke vendosur policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetë- shkaktuese dhe më pak evropiane”- ka shkruar Rama.

Serbët lokal në komunat veriore Zveçan, ZubinPotok dhe Leposaviq janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.

Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.

Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.

Përderisa sot, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” – thuhet në reagimin etij.

Ai ka shprehur shqetësimin edhe mbi ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.

Borrell ka theksuar se BE është e gatshme të zbatojë masa të rrepta nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë të shtensionojnë menjëherë situatën.