Foto: KALLXO.com

Mesazhet sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore shpërndahen edhe në trenin për Pejë

Me qëllim të parandalimit të dhunës me bazë gjinore, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministrja e Drejtësisë shpërndau mesazhe sensibilizuese edhe në trenin për Pejë.

Ishte vetë ministrja Albulena Haxhiu, ajo e cila ndau këto mesazhe me udhëtarët që u nisën nga Prishtina për në Pejë.

Mesazhe kundër dhunës u ndanë edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Aktivitetet e tilla u mbajtën me qëllim të ndërgjegjësimit për dhunën në familje e dhunën me bazë gjinore.

Në aktivitetet në fjalë, ministrja Haxhiu foli për pasojat ligjore të dhunës në familje – duke kujtuar se kjo vepër penale dënohet deri në 3 vjet burgim.

Haxhiu gjatë ditës mori pjesë edhe në një tryezë me temën “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Praktikat dhe avokimi. Zbatimi dhe rruga përpara”.

Aty u diskutua mbi hartimin e politikave për parandalimin e për trajtimin e dhunës ndaj grave nga Ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu potencoi se në kuadër të aktiviteteve të fushatës “16 Ditët kundër dhunës me bazë gjinore” do të lansohen edhe tri akte nënligjore. Me njërin prej tyre do të konsolidohet roli i Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës. Po ashtu, do të bëhet lansimi i linjës telefonike falas dhe funksionalizimi i mekanizmave lokale – që merren me dhunën në familje e dhunën në baza gjinore.