Protesta në veri, 07.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Mesazhet e serbëve në protestë: Nëse hapet ura, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës për të gjitha

Në protestën që po mbahet aktualisht në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut (07.08.2024), disa nga protestuesit janë parë me pankarta përmes të cilave po përçojnë mesazhe.

“Nëse hapet ura, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës për të gjitha” – është një nga mesazhet në protestën e sotme.

“Përderisa BE dhe SHBA shkruajnë komunikata, neve po na përzënë”, “Në urë e kemi mbrojt qëndresën, tash e mbrojmë zhdukjen” e “Kërkojmë nga FKOR që të na mbrojë” – janë disa nga mesazhet tjera.

Në krye të protestuesve, edhe kësaj radhe janë parë politikanët serb nga pari të ndryshme.

KALLXO.com është duke e përcjell këtë protestë që po mbahet në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut.

Ashtu si herëve të tjera, edhe kësaj radhe qytetarë e mbledhur në shesh kanë filluar protestën duke lëshuar këngë nacionaliste.

Dje, më 06.08.2024, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut tha se protesta parashihet të jetë e qetë.

Ai njoftoi se Policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike.

Përderisa sot, përpos Policisë, edhe ekipe të EULEX e të KFOR janë parë duke qëndruar në urën e Ibrit e edhe duke lëvizur nëpër zonën ku po mbahet protesta.

Dje, më 06.08.2024 është bërë një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

KALLXO.com raportoi se kompania fituese për këtë isnpektim është përzgjedhur “IPE-PROING”. Punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.

Nga kompania nuk pranuan të deklarohen ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje.

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, më pas bëri të ditur se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për këtë inspektim.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.

EULEX në urën e Ibrit, pritet të fillojë protesta e paralajmëruar