FOTO: Presidenca e Kosovës

Mesazhet e ditës së parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Me mesazhet për më shumë paqe, më shumë siguri e më shumë barazi gjinore, në Prishtinë filloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, forum ky që po organizohet për herë të parë dhe do të zgjas dy ditë.

Mesazhet në fjalë u përcollën nga mbi 400 pjesëmarrës, liderë, diplomatë, akademikë, ministra e pjesëmarrës të tjerë të 33 vendeve të botës të cilët të shtunën kishin zbarkuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Inicuesja e këtij forumi, presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj hyrëse tha që përderisa në Kosovë po mbahet ky forum, shumë gra në Ukrainë janë në frontet e luftës.

Osmani tha që ‘historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila ka largu një gur nga rruga drejt barazisë’.

“Ky forum është kulmim i dekadave të përpjekjeve të grave të Kosovës dhe grave rreth botës. Duhet të jetë e qartë sepse nëse dëshirojmë ta mirëmbajmë paqen mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolina të bisedimeve”- ka thënë presidentja para të pranishmëve.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha që gruaja kosovare ka qenë e pranishme në të gjitha fazat e shtet ndërtimit, duke theksuar se do të punoj për më shumë barazi në Kosovë.

“Numri i vajzave që shërbejnë në FSK dhe Polici është substancial dhe duhet të rritet ende, nuk ka alternativë tjetër, më shumë gra në forca të rendit do të thotë përmbushje e të drejtave të të gjithëve. Gratë dhe vajzat e Kosovës kanë qenë viktima dhe luftëtare, kanë kontribuar në demokratizimin e institucioneve të Republikës, e kam për obligim t`i përkrah dhe t`i inkurajoj”- ka thënë Kurti para të pranishmëve.

Krenaria më e madhe për ish-sekretaren Medeline Albright sipas sekretarit të shtetit amerikan, Antony Blinken ka qenë Kosova.

Në adresimin e tij para të pranishmëve në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Blinken kujtoi veprimtarinë e ish-sekretares Albright, e cila ka punuar për avancimin e gruas në diplomaci.

“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”- tha ai.

Me një dokumentar të transmetuar gjatë punimeve të forumit, u soll në kujtesën e të pranishmëve edhe njëherë veprimtaria e Albright me theks të veçante kontributi i saj në Kosovë.

Në kohën kur Prishtina mbante forumin për paqe, nuk u la pa u përmendur edhe lufta në Ukrainë dhe heroizmi që gratë atje janë duke treguar në mbrojtje të vendit të tyre.

Për këtë presidentja Vjosa Osmani, ka dekoruar gratë e Ukrainës me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontribut në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Në emër të grave ukrainase, Medaljen e ka pranuar deputetja Yehveniia Kravchuk.

Ndërkaq me një fjalim falënderues, të pranishmëve u është drejtuar nëpërmjet një video mesazhi, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Emine Dzhaparova.

“Sot, gratë ukrainase tregojnë një standard të ri të guximit, dinjitetit dhe vendosmërisë. Që nga dita e parë e pushtimit të Rusisë, 13,000 ushtare vajza e gra kanë luftuar krah për krah me burrat. Ato sakrifikojnë jetën e tyre për Ukrainën e lirë të pavarur dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, Rusia mban robër qindra gra ukrainase…”- ka theksuar Dzhaparova.

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann në fjalën e saj para të pranishmëve ka thënë se ‘agresioni rus tregon sesa janë me rëndësi çështjet e grave dhe sigurisë në agjendën në Evropë;.

“Pjesëmarrja e grave dhe paqja e qëndrueshme janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, siguria e grave është tregues i mirë për sigurinë e shoqërisë. Ne dimë që gratë ndikohen nga lufta dhe dhuna që e shoqëron dhe detyra jonë është që t`i mbrojmë gratë nga kjo dhunë”- ka thënë ajo.

E kur po diskutohej për gratë dhe kontributin e tyre në shtet ndërtim jo vetëm në Ukrainë por edhe në Kosovë, ish-presidentja Atifete Jahjaga shprehu pakënaqësinë e saj për mos përfshirjen e grave në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deri sa flasim tani asnjë grua nuk merr pjesë në tavolinën e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve”- tha Jahjaga.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ‘apeloi’ për përfshirje të grave në tavolinat e bisedimeve.

“Për mua është e dukshme që gratë e sjellin një perspektive tjetër, gratë janë më partiake. Duhet t`i bashkojmë pikat, negociata, shoqëria civile, parlament. Në kapacitetin tim mund t`i them dy gjëra, sepse unë nuk i emëroj ekipet negociatore, njëherit të apeloj në publik për më shumë gra dhe gjëja e dytë që mund ta bëjë të jetoj sipas shembullit të ekipit tim i cili ka 3 gra dhe një burrë”- tha ai.

Forumi Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë sot dhe nesër do të mbajë edicionin e tij të parë dhe synohet të bëhet tradicional.

Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, penalistë e diskutues po debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

Forumi ka grumbulluar 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.

Ky forum po organizohet Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX.