Mesatarja e reagimit të Policisë në rastet e dhunës në familje: 15.3 minuta

Për raportimet e rasteve të dhunës në familje që bëhen në Policinë e Kosovës, zyrtarëve të kësaj organizate qeveritare iu duhen mesatarisht 15.3 minuta kohë për të reaguar.

Kjo është bërë publike nga Inspektorati Policor i Kosovës në raportin e publikuar të titulluar “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor”.

Nga IPK u morën gjithsej 15 mijë e 105 mostra nga 41 stacione policore që u analizuan dhe iu bënë matjet për reagim policor.

Matjet e Inspektoratit bëjnë të ditur që mesatarja e kohës së përgjithshme të reagimit policor në nivel vendi, për të gjitha raportimet pa dallim, është gati 14 minuta, ose më saktë 13.76 minuta.

Përderisa analiza ka nxjerr në pah që reagimi më i shpejtë i zyrtarëve policor ka qenë nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt, përkatësisht stacioni policor në këtë qytet.

IPK në analizën që është bërë publike ka njoftuar se ky nga 13.76 minutësh i reagimit policor, 2.15 minuta janë shfrytëzuar për ndarje të detyrave dhe 11.61 për arritje në vendngjarje.

Raporti i IPK-së vlerëson se nga totali i mostrave të analizuar, në 80.05 për qind të rasteve reagimi i Policisë ka qenë brenda limiteve, përderisa në pjesën tjetër të raportimeve, 19.95 për qind, thuhet se reagimi ka qenë i vonuar.

Policia, sipas IPK-së, reagimin prej 12.98 minutash ka në rastet e kanosjes, 14.1 minuta për rastet që kanë të bëjnë me narkotikë, 14.5 minuta në rastet e sulmit dhe 18.3 minuta në rastet e vjedhjes.

IPK ka vlerësuar se ky inspektim nxjerr në pah se koha e reagimit policor në thirrjet e qytetarëve në masë të madhe konsiderohet të jetë brenda limiteve kohore, që janë të përcaktuara me politikat dhe synimet e Policisë së Kosovës.

Sipas Inspektoratit policor koha e reagimit nga stacionet sfidohet nga ndikimi i një sërë faktorësh, përfshirë këtu mungesën e burimeve njerëzore, numrin e pamjaftueshëm të automjeteve, problemet me radio-komunikimin, vështirësitë në funksionin e duhur të internetit e të tjera.

Ky inspektim i IPK-së është i paraparë në planin vjetor të inspektimeve të rregullta të IPK-së dhe ka për objektiv matjen dhe analizën e kohës së reagimit policor, nga momenti i pranimit të thirrjeve deri në arritjen e njësive policore në vend ngjarje.

Subjekt i këtij inspektimi të IPK-së kanë qenë 41 stacione policore që janë në kuadër të drejtorive rajonale policore.

Periudha e mbulimit nga IPK për të analizuar dhe matur kohën e reagimit policor ka qenë tre mujore. Në këtë periudhë janë përfshirë muajt prill, maj dhe qershor të 2022-ës.

Rezultatet e inspektimit erdhën nga takimet që patën inspektorët e IPK-së me 41 drejtues dhe bartës funksionesh në stacionet policore të Kosovës, duke përfshirë këtu komandantët e stacioneve policore, shefat e operativës së stacioneve, mbikëqyrësit e ndërrimeve dhe zyrtarët në bazat e komunikimit.

Pjesë e metodologjisë së inspektimit kanë qenë edhe këqyrja dhe verifikimi i radio-logjeve, përfshirë këtu 123 logje mujore operacionale.

Po ashtu, sipas IPK-së në metodologji është përfshirë edhe plotësimi i formularëve mbi analizën e 15 mijë e 105 mostrave të ngjarjeve të ndryshme e gjithashtu edhe marrja e dokumenteve si raporte, logje operacionale e të tjera.