Malësia e Rugovës | Foto nga Valerie Plesch

Mes rrezikut nga coronavirusi, qytetarët e Pejës mblidhen në Grykën e Rugovës

Pavarësisht situatës së krijuar nga coronavirusi, Komuna e Pejës ka njoftuar se në Gryken e Rugovës janë mbledhur mijëra qytetarë.

Këtë veprim, kjo komunë, e ka quajtur të gabuar dhe në kundërshtim me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, kjo sjellje kontribuon në fuqishëm në shpërndarjen e virusit, rrjedhimisht ka pasoja me infektimin e personave dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve e që kjo situatë nuk duhet të përsëritet.

“Sot ishim në monitorim në gryken e Rugovës. Pamë me mijëra qytetarë që kishin dal në piknik! Ishin në grupe nga 5, 10 e 15 persona. Ishin familjarë, grupe rinore e grupe të moshuarish! Duke e pasur parasysh situatën që ndodhemi, kjo që pamë ishte një situatë jo e mirë”, thuhet në komunikatën e kësaj komune në Facebook.

KALLXO.com ka raportuar minuta më parë se qytetarët janë mbledhur e po bëjnë piknik në parkun nacional “Shkugëza”në dalje të Gjakovës.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 17 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra. Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.

(FOTO) Mes rrezikut nga coronavirusi, qytetarët në Gjakovë bëjnë piknik në Shkugëz