Mes lotëve, dhimbjes e lehtësimit, familjarët pranuan trupat e më të dashurve të vrarë nga forcat serbe

22 vjet më pas, eshtrat e Nezir Deliut u rikthyen në atdhe. Ai ishte zhdukur në vitin 1999 në Rezallë të Skenderajt dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për fatin e tij.

Pas më shumë se dy dekadave, djali i tij, Shabani, kujton momentet e fundit kur u nda nga babai.

“Herën e fundit e kujtoj, kanë qenë orët e vona të mbrëmjes, diku rreth orës 21:00 dhe fjalët e fundit të tij kanë qenë, që veç për mua po brengoset, se thojke unë i kam do vjet, po për ty po brengosem. Më ka thirrë në emër disa herë, ani se kemi qenë afër ai më thirrke në emër…”, thotë Shaban Deliu.

Arkivoli me eshtra të Nezir Deliut dhe gjashtë personave të tjerë  u pritën sot në pikën kufitare në Merdare. Ata ishin viktima të masakrës së Rezallës, të cilët janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Shaban Neziri kur iu kishte zhdukur babai ishte 30-vjeç. Ai thotë se kthimi i eshtrave është qetësim për të dhe familjarët e tjerë.

“22 vjet për ne kanë qenë shumë të rënda, por sot kur e morën vesh që janë gjetë, bile eshtrat, jemi të mërzitur por tash e tutje jemi më lehtë, ndihemi të lehtësuar se e dimë që kur të shkojmë të varri me bë një lutje, e dimë që janë eshtrat aty dhe pushon i qetë në vendin e vet”, thotë ai.

Shaban Deliu, Rezallë

E për të gjithë ata që ende nuk i kanë gjetur familjarët e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Shaban Deliu ka një mesazh.

“Mesazhi im është që me qëndru sa më të fortë këto ditë dhe uroj që të gjenden të gjithë ata tjerët që janë të zhduktur sepse veç ne e dimë që e kemi përjetu se sa vështirë është ta kesh dikë të zhdukur për 22 vjet me radhë…”, thotë ai në një bisedë për KALLXO.com.

Mes lotëve dhe dhimbjes Ajmane Rukolli kujton momentet kur u pa për herë të fundit me babanë e saj në fshatin Rezallë. Por, pavarësisht humbjes, ajo thotë se kthimi i eshtrave ia ka lehtësuar dhimbjen.

“Babën jemi dalë me pritë. Jemi gëzu shumë po edhe jemi merzitë shumë, jemi kanë në ankth gjithë derisa na erdhën kufomat. I vjeter u kanë, I kanë marrë në Rezallë, I kanë nda nga gratë edhe më s’kemi ditë gjë, prej asaj dite. Po, shyqyr që na erdhën eshtrat në vend të vetin. Tash janë qetë e rehat e edhe ne jemi të kënaqur”, thotë Ajmane Rukolli.

Ajmane Rukolli, Rezallë

“Kushdo që i ka të humbur familjarët, ishalla i gjejnë se është vështirë kur nuk e dinë a është gjallë a i vdekur”, tha ajo.

Dhimbjen sikur ditën kur ia vranë vëllanë, thotë Muhameti, e ka edhe sot.

22 vite më parë në Rezallë forcat serbe e vranë Nazif Hotin në moshën 50-vjeçare. Më vonë, ai e kuptoi se ishte vrarë edhe djali i vëllait.

“Kemi qenë në Rezallë, të gjithë familjarët e familjes. Ushtarët serbë e ndajtën nga pjesa tjetër e familjes. Që 22 vjet nuk kemi ditë më gjë për të, ka qenë më i ri se unë, 50-vjeç. I ka lënë dy djem, por njërin ia kanë vra në Izbicë”, tregon Muhamet Hoti.

“Mërzia është sikur atë ditë që është vdek, sepse ne e kemi ditë që e kanë vra në Rezallë. Mërzia është e njëjtë, si ditën që e kanë vra”, rrëfen ai.

Për t’i pritur arkivolet me trupat e viktimave dhe për homazhe në Merdare ishte edhe Albin Kurti, kryeministër i vendit, Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit dhe kryetari i Komisionit për personat e zhdukur, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe familjarë dhe anëtarë të shoqatave të personave të zhdukur në Kosovë.