Ilustrim
Meryl Streep në OKB: Macet kanë më shumë liri se gratë afgane
Macet kanë më shumë liri se gratë në Afganistan, ka thënë të martën (24.09.2024), aktorja hollivudiane, Meryl Streep, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndalë represionin e talibanëve në shtetin afgan, shkruan BBC.
Duke folur në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, aktorja ka thënë se edhe kafshët kanë më shumë të drejta se gratë në Afganistan, ku talibenaët sundimtarë kanë ashpërsuar kufizimet ndaj grave.
Në një përgjigje, një zëdhënës i talibanëve i ka thënë BBC-së se ata “i respektojnë shumë” gratë dhe se “asnjëherë nuk i krahasojnë me macet”.
Komentet e Streepit erdhën pasi qeveria talibane muajin e kaluar fuqizoi një mori kufizimesh të reja, të koduara si “ligje moraliteti”.
Në mesin e tyre, këto rregulla theksojnë se zërat e grave më nuk mund të dëgjohen në publike dhe se grave nuk u lejohet të flasin drejtpërdrejt me meshkuj nëse me ta nuk kanë lidhje gjaku ose martese.
Talibanët i kanë ashpërsuar kufizimet ndaj grave dhe vajzave vazhdimisht prej ardhjes së tyre në pushtet para tri vjetësh.
“Sot në Kabul, një mace ka më shumë liri se një grua”, ka thënë Streep, duke thënë se ndryshe prej grave, macet në Afganistan mund të ulen ku të duan dhe të ngrohen në rrezet e diellit. Këto shqetësime i ka ngritur në një ngjarje për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e grave afgane, që është mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Ka treguar gjithashtu se si grave nuk u lejohet të ndjekin shkollimin e as të dalin të vetme në hapësira publike.
“Një grua mund të këndojë në Kabul, por jo edhe një vajzë në vend publik. Kjo është e jashtëzakonshme. Ky është shkelje e të drejtës natyrore”, ka thënë ajo, duke alarmuar botën për shkeljet e rënda që po lejohen në Afganistan.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com