Merret vendimi, java e ardhshme pushim për nxënësit

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka fuqizuar sot vendimin që të mbahet pushimi pranveror për nxënësit e arsimit parauniversitar.

Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se pushimi të realizohet më 6-8 prill, përfshinë ditët e pushimit dhe mësimi do të rifillojë më 12 prill.

“Uroj që ky pushim të ndikojë në ruajtjen e shëndetit publik, uljen e rasteve të reja të infektimit me COVID/19, në mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve dhe prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla”, tha ajo.

Sipas saj, kjo periudhë do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore.

“Mësimdhënësit dhe udhëheqësit në shkolla do të reflektojnë dhe analizojnë punën e tyre në periudhën e parë dhe të dytë, ashtu si dhe do të përgatiten për përfundimin sa më të suksesshëm të vitit shkollor”, tha ajo.

Nagavci po ashtu tha se së shpejti do të merret edhe një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura.

“Në takimet e punës shpreha dhe brengat e mia për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, pabarazive që mund të jenë shtuar tek nxënësit dhe arritjes së rezultateve të pritura. Në këtë drejtim, shumë shpejtë do të nxjerrim edhe vendimin për organizimin e mësimit plotësues dhe shtesë për nxënësit që mund të kenë pasur ngecje, sidomos për filloristët, për çfarë pati mbështetje të plotë nga të gjitha palët”, ka shkruar ajo më tej.

Në vendim po ashtu është caktuar edhe data e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore me 12 dhe 19 qershor 2021 afati i parë, ndërsa afati i dytë më 28 gusht dhe 4 shtator 2021.

Ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj kishte marrë një vendim që nxënësit e arsimit parauniversitar të mos mbajnë pushimin pranveror dhe të zëvendësojnë orët e humbura.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar gjysmëvjetori i parë. Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim me prani fizike në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.