Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

Ambasadori Lars-Gunnar Wigemark sot e ka marrë detyrën e shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Mandati i tij do të zgjasë deri më 14 qershor 2020.

Sipas një komunikate të EULEX-it, Wigemark ka thënë, se do të angazhohet për të ofruar ndihmë në sundimin e ligjit.

“Me padurim po e pres këtë emërim të ri dhe sfidues. Unë do të angazhohem ashtu që EULEX-i të vazhdojë të jetë partner i besueshëm për partnerët dhe miqtë e tij kosovarë, duke u ofruar kolegëve tanë të kamotshëm të sundimit të ligjit ndihmë konkrete, me kohë dhe të dobishme ashtu që ata të vazhdojnë të bëhen më të fuqishëm dhe më të zotë për ta vazhduar rrugëtimin e tyre në drejtimin evropian”, tha ai.

“Si Shef i ri i EULEX Kosova, Wigemark do ta drejtojë mbështetjen e këtij Misioni për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE-së”, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Ndër të tjerash, Lars-Gunnar Wigemark sot i ka takuar ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e rregullt të Shefave të Misioneve të BE-së të kryesuar nga Përfaqësuesja Speciale e BE-së, si dhe do t’i mbajë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Kosovës dhe ndërkombëtarë dhe partnerë të EULEX-it në institucionet e sundimit të ligjit.

Lars-Gunnar Wigemark është një diplomat suedez. Ai ka shërbyer si Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje e Hercegovinë deri në muajin gusht 2019.

Parprakisht ai ishte Ambasador i BE-së në Pakistan.

Në krye të EULEX-it para dipomatit suedez ka qenë Alexandra Papadopoulou, një diplomate greke e cila e përfundoi detyrën e saj si shefe e këtij misioni në korrik të vitit të kaluar.