Merr detyrën ministri i ri i Shëndetësisë Arben Vitia

Në mëngjesin e ditës së sotme, ministri i ri i shëndetësisë Arben Vitia ka marrë detyrën nga ish ministri Uran Ismajli.

Gjatë këtij pranim-dorëzimi të detyrës Ministri Vitia tha se do të punojë për të mirën e pacientëve dhe personelit shëndetësor në Kosovë.

Ndërkaq, ish-ministri Ismaili i uroi sukses në postin e ri ministrit Vitia dhe i uroi të vazhdojë me punë të mira në sektorin e shëndetësisë.

Kjo ministri nga sot do të udhëhiqet nga Arben Vitia, ish-drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, i cili ka diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si mjek në Mitrovicë. Ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”.

Që nga viti 2010, ai është aktivist në Vetëvendosje ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.

Në vitet 2013 deri në 2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës. Vitia ka qenë në këtë drejtori që nga mandati i parë i Shpend Ahmetit në krye të komunës por që u shkarkua nga Ahmeti në fillim të muajit nëntor.

Në biografinë e Vitisë të publikuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, thuhet se ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA.

Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së LVV-së dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma. Vitia është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministria e Shëndetësisë është udhëhequr nga Uran Ismaili ka mbajtur këtë post që nga shtatori i vitit 2017.