Kancelarja Angela Merkel - Foto: REL/Reuters

Merkel në karantinë pasi takoi mjekun e infektuar me coronavirus

Kancelarja gjermane Angela Merkel është vendosur në karantinë shtëpiake pasi u zbulua se ajo kontaktoi një mjek që ishte testuar pozitivisht për coronavirus.

Zëdhënësi i Merkel tha që kancelarja ishte informuar në lidhje me testin e mjekut menjëherë pasi mbajti një konferencë shtypi të dielën kur ishte duke njoftuar për masa të reja për të frenuar përhapjen e virusit.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, tha që Merkel kishte marrë një vaksinë paraprake të premten kundër infeksionit pneumokok.

Seibert tha në një deklaratë se Merkel, 65 vjeçe, do t’i nënshtrohej “testeve të rregullta” në ditët në vijim dhe do të vazhdojë me punën e saj nga shtëpia.