Mërgimtari vjen në atdhe me ‘Lamborghin’ të vjedhur në Gjermani

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se e kanë sekuestruar një veturë superluksoze në Shqipëri, pasi e njëjta dyshohet se është vjedhur në Gjermani.

“Falë një pune të mirëorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas, një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”. Ky mjet nga shteti gjerman më datë 30.07.2019, është deklaruar i vjedhur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Policia ka njoftuar se është arrestuar një 38 vjeçar nga Elabasani me banim në Gjermani dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

“Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së automjetit luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.