Mërgimtari nga Gjermania dhuron 2,500 kg miell për familjet me nevojë në Drenas

Në kohën kur Kosova dhe gjithë bota po përballen me pandeminë Covid-19, po shpërndahen pako ushqimore dhe ndihma të tjera për familjet që jetojnë me asistencë sociale.

Një mërgimtar nga Hadja e Obiliqit me vendqëndrim në Gjermani ka dhuruar 2500 kilogramë me miell për familjet me nevojë në Komunën e Drenasit.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë të Komunës së Drenasit.

Kryetari Ramiz Lladrovci, ka falënderuar bashkatdhetarin Ujup Preniqi, për këtë ndihmë të ofruar në këtë kohë pandemie nga virusi COVID-19.

Deri më tani asnjë rast me koronavirus nuk është identifikuar në Komunën e Drenasit.

Ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve me këtë virus në Kosovë ka shkuar në 108.