Mërgimtarët po ankohen se nuk po gjejnë emrat në listën e votuesve

Mbrëmë rreth orës 19:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar listën e votuesve që u janë pranuar aplikimet për votim nga jashtë vendit, përmes postës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, janë rreth 102 mijë votues nga jashtë vendit që u janë pranuar dhe konfirmuar aplikimet e tyre.

Por ka plotë prej mërgimtarëve që janë ankuar se nuk e gjejnë vetën në listën e votuesve, edhe pse sipas tyre u është pranuar aplikimi nga ana e KQZ-së.

Venera Galimuna, që jeton në Londër të Anglisë, është ankuar se, ndonëse ajo me familje kanë aplikuar sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ, dy fëmijët e saj nuk janë të regjistruar dhe nuk figurojnë në listën e votimit.

“Mora telefonatën nga KQZ, po ashtu edhe informatën që jam e regjistruar. Jam shumë e dëshpëruar si dhe e revoltuar që dy fëmijët e mi nuk janë të regjistruar dhe po ashtu nuk kanë të drejtë votimi”, thotë ajo.

Ajo thotë se i ka dërguar të gjitha dokumentet paraprake, por nuk ka shpjegim pse fëmijët nuk i figurojnë në listë.

“KQZ, po u mohon të drejtën për votim fëmijëve të mi, pa asnjë shpjegim”, pretendon Galimuna.

Besnik Krasniqi është një tjetër mërgimtar që pretendon se pa të drejtë anëtarë të familjes së tij nuk figurojnë në listën e votuesve, të publikuar nga KQZ.

Sipas Krasniqit, katër familjar e tij, të cilët kanë qenë të regjistruar për votim në vitin 2019, kanë aplikuar përsëri edhe këtë vit dhe vetëm 2 prej tyre figurojnë në listën e votuesve nga jashtë Kosovës.

Ai nuk e di arsyen pse aplikimet u janë refuzuar.

“Unë, vëllai dhe motra kur kemi aplikuar për t’u regjistruar, kemi bashkangjitur kopjen e letërnjoftimit të babait që ka letërnjoftim të Kosovës, plus kopjet e pasaportës kanadeze, si dhe formularin 1. Kemi bashkangjitur letërnjoftimin e babait, sepse ne nuk kemi pasur dokumente nga Kosova”, thotë Krasniqi për KALLXO.com.

Ai thotë se babai i tij ka bashkangjitur vetëm formularin 1 si dhe kopjen e letërnjoftimit të Kosovës. Krasniqi thotë se secili i kanë dërguar aplikimet përmes e-maileve personal, si dhe të gjitha dokumentet e bashkangjitur kanë qenë të kualitetit të lartë.

“Formulari 1 ka qenë i mbushur nga i njëjti person, me përjashtim të nënshkrimit dhe datës kur është nënshkruar, që janë plotësuar nga vet personat. Pra, nuk ka asnjë gabim në plotësimin e formularit”.

Tutje, Krasniqi thotë se të gjithë kanë pranuar e-mailin nga KQZ, si konfirmim që janë pranuar. Ndërsa vetëm njëri prej 4 anëtarëve të familjes ka pranuar thirrjen nga KQZ.

“Kur unë kam pranuar thirrje, përmes meje kanë ‘bërë verifikimin’ edhe për babain”, thotë Krasniqi.

Në fund, Krasniqi thotë se vetëm emri e tij dhe i babait që u është bërë verifikimi përmes telefonit, janë në listën e votuesve nga jashtë Kosovës, ndërsa për vëllain dhe motrën e tij, thotë se pa ndonjë lloj shpjegimi kanë mbetur jashtë listës.

Afati për ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për aplikuarit të cilët nuk figurojnë në listën e votuesve, është deri më sot në ora 18:00.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga ana e KQZ-së, për të kuptuar se a kanë hapësirë aplikuesit për ankesë përveç PZAP-së, por zëdhënësi Valmir Elezi dhe kryeshefi i sekretariatit të KQZ, Burim Ahmetaj nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com.