Mërgim Lushtaku sqarohet pse u pa afër një vendvotimi duke biseduar me policë - VIDEO

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku është parë gjatë ditës së sotme në afërsi të një qendre të votimit në Skenderaj më saktësisht në fshatin Kllodernicë në Komunën e Skenderajt.

Mërgimi është edhe djali i kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtakut.

 

Në fotografitë që ka siguruar KALLXO.com, Lushtaku shihet në afërsi të një shtëpie në të cilën gjendet edhe një market e që përballë tij është edhe qendra e votimit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Mërgim Lushtakun në lidhje me prezencën e tij në afërsi të kësaj qendre të votimit.

I njëjti ishte arsyetuar se kishte marrë informacione se disa qytetarë janë kërcënuar dhe se ka shkuar aty për të ofruar siguri.

Mërgim Lushtaku përballë qendrës së votimit në fshatin Kllodernicë, Foto: KALLXO.com

Madje i njëjti pretendon se ka telefonuar policinë në lidhje me rastin dhe pasi u ka shpjeguar situatën është larguar nga ku po qëndronte përballë qendrës së votimit.

KALLXO.com ka siguruar edhe pamje ku shihet Mërgim Lushtaku duke biseduar me zyrtarët policor.

“Është sulmu një qytetar i Klloderenice kam shku me kqyrë qysh është gjendja dhe e kam njoftu edhe policinë që me pas një patrullë qe me pas një siguri më të madhe dhe njerëzit të ndihen më te sigurtë për të votuar. Kam marrë info ka qenë disa nga LVV që kanë bashkëpunim me kryetarin aktual dhe kanë dashtë imponu votën për Vetëvendosjen për asamble dhe bekimin për kryetar. Policia është tu u marr me rastin, i tregova që kam ardhur vetëm që qytetarët mos të ndjehen të frikësuar. Dhe sigurisht ata e bëjnë punën e vete, nuk kam arsyeje me nejt atu ma, policia e bënë punën e vet”, ka thënë Mërgim Lushtaku për KALLXO.com.