Mërgim Lushtaku nuk e miraton kërkesën që bordi i RTK-së të raportojë për zgjedhjen e Ngadhnjim Kastratit
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, nuk ka miratuar kërkesën e tre deputetëve: Valon Ramadani, Arbreshë Kryeziu dhe Agon Batusha që në mbledhjen e nesërme të Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media të trajtohet kërkesa e Sindikatës së RTK-së që ky komision të diskutojë për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.
Sindikata e cila në vazhdimësi ka kontestuar mënyrën e zgjedhjes së drejtorit ka kërkuar nga komisioni të vlerësojë nëse zgjedhja e drejtorit në proces ku votuan 7 anëtarë të bordit prej të cilëve 6 pro dhe një kundër ishte e ligjshme dhe në përputhje me Ligjin e RTK-së.
Sindikalistët kontestojnë mandatin e drejtorit pasi sipas tyre zgjedhja e tij do duhej të bëhej me prezencën e 11 anëtarëve të bordit e jo 7 sa kishim votuar në atë kohë.
Tre deputetët e Vetëvendosjes por edhe deputetë nga LDK janë shprehur pro thirrjes së bordit në takimin e nesërm.
“Presim që këtë kërkesë ta trajtoni me prioritet dhe të ftoni në raportim Bordin e Radio Televizionit të Kosovës, në mbledhjen e radhës të Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media në lidhje me zhvillimet e fundit në RTK, dhe adresimin e shqetësimeve të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së lidhur me procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së”, thuhet në kërkesën e deputetëve të LVV-së e cila mban datën 22 tetor 2020.
Kërkesa e deputeteve të Vetëvendosjes është përkrahur edhe nga disa prej anëtareve të tjerë të Komisionit mirëpo e njëjta nuk është përkrahur nga kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku.
Në një prononcim për KALLXO.com, Lushtaku ka thënë se nuk është kundër që bordi i RTK-së të ftohet në raportim, por, sipas tij, shkresa nga anëtarët e komisionit ka qenë e vonshme.
“Sipas rregullores unë e kam të drejtën e caktimit të rendit të ditës. Unë e kam lënë që në një rend dite tjetër në Komision me vendos a po futë edhe RTK-në a jo, unë e kam pa të arsyeshme raportimin e institucioneve tjera që nuk kanë mundur me raportu më herët. Në mbledhje do ta shqyrtojmë kërkesën e deputetëve dhe bashkërisht vendosim”, ka thënë kryetari i Komisionit për Media.
Një vendim nëse bordi i RTK-së do të raportojë në këtë Komision apo jo do të merret në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Media.
“Parimisht jam për me u shqyrtu por sigurisht vendosim në mbledhje të Komisionit. Unë jam për me u vendos, por në fund shumica e vendos”, deklaroi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Edhe anëtari i LDK-së, Ardian Shala, ka thënë se pika e rendit të ditës ku do të raportonte bordi i RTK-së duhet të të hyjë në rend dite.
“Ajo ka qenë një iniciativë për me hy në rend dite dhe po besoj që nesër prapë do të jetë e njëjta gjë. Mendoj dhe besoj që ajo duhet të hyjë në rend dite, tash s’e di. Besoj do ta kemi si kërkesë të veçantë”, ka thënë ai.
KALLXO.com merr vesh se gjatë këtyre ditëve bordi i RTK-së pritet të mblidhet ku edhe do të zgjidhen disa prej drejtorëve në këtë medium publik. KALLXO.com ka provuar që këtë ta konfirmojë edhe nga kryetari i bordit të RTK-së, por ai nuk është përgjigjur.
Kryetari i Komisionit nga PDK, Mërgim Lushtaku, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për mbledhjen e bordit të RTK-së ku pritet të zgjidhen drejtorët e rinj.
“Jo, me ju tregu të drejtën unë për herë të parë po dëgjoj që kanë mbledhje bordi i RTK-së në ditën që e përmende, prej jush e kam këtë informatë por nuk ka të bëjë asgjë me këtë”, ka thënë ai.
Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së është Ngadhnjim Kastrati. Zgjedhja e tij në krye të medias së vetme publike në vend është kontestuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së pasi Kastrati u zgjodh në një proces votimi ku morën pjesë vetëm 7 anëtarë nga 11 sa i ka bordi i RTK-së. Sindikata pretendon se zgjedhja e drejtorit të RTK-së duhet të kryhet në kohën kur bordi është i plotësuar.
Bordi i RTK-së ka këtë përbërje. Sali Bashota, kryetar, Marijana Simic, nënkryetare, Agron Gashi, anëtar, Lirim Geci, anëtar, Fadil Miftari, anëtar, Ilir Bytyçi, anëtar, Bajram Mjeku, anëtar, Petrit Musolli, anëtar dhe Albinot Maloku, anëtar.
Sindikata takon Avokatin e Popullit, hapet rast për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së
www.kallxo.com