Foto: Facebook

Mërgim Lushtaku i drejtohet kryeparlementares me: 'Sherife Osmani'

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në seancën e Kuvendit të Kosovës, në fillim të fjalës së tij e ka quajtur kryeparlamentaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin me emrin “Sherife Osmani”.

Fjalës së deputetit Lushtaku i ka replikuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke i thënë se fjalët ofenduese nuk i lënë përshtypje.

“Fjalët ofendimet nuk është se më lënë fort përshtypje, ju duke tentuar të më ofendoni kinse me një emër të ri, kur më quani “Sherife Osmani”, duke tentuar që këtë emër ta paraqitni si diçka të keqe mos harroni se nëna e shumëkujt mund ta ketë emrin Sherife, motra e shumëkujt mund ta ketë emrin Sherife, ka shumë Shefire në Kosovë dhe ato me mburrje e mbajnë emrin e tyre”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje i ka thënë Lushtakut se duhet të mësoj diçka nga Amerika, e të mos mbetet me filma të kaubojëve.

“Unë do të prisja nga gjenerat me të vjetra, por ju si gjeneratë e re që e keni gojën plotë Amerikë, mësoni diçka nga Amerika, nuk është mirë me mbetë me kulturën e filmave të kaubojëve, sepse ka ec historia, ec bota përpara”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje i ka shpjeguar Lushtakut kuptimin e fjalës “There is a new Sherif in town”.

“There is a new Sherif in town” përdoret edhe si gjuhë institucionale mund ta gjeni në arkivat e Shtëpisë së Bardhë, sa herë të vijë një president i ri ashtu prezantohet që do të thotë është një autoritet i ri që sjellë ndryshim, ky është kuptimi nuk ka të bëjë më polici as me Sherif, ju duhet ta dini këtë punë”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje i është drejtuar Lushtakut duke i thënë: “Mësoni pak zotëri deputet, sepse nuk është mirë me u thirrë çdo ditë në Amerikë e mos me msu asgjë nga vlerat që përfaqësojnë SHBA-të”.

Ajo tutje i ka thënë Lushtakut se me këtë fjalë i ka bërë të ndihen keq shumë zonja në Kosovë.

“Zotëri deputet para se të dilni me një gjuhë të tillë, që mund t`i bëni të ndihen keq shumë zonja me emrin Sherife, kuptoni pse ndryshimi që unë përfqësoj nuk ka të bëjë as me Sherif as me polici por është ndryshim që në mënyrë të përpiktë mund të përshkruhet me “There is a new Sherif in town”, u shpreh Osmani.

Tutje Osmanit i ka replikuar Lushtaku duke i thënë se po viktimizohet.

“E nderuara zonja Sherife Vjosa Omani, je mësu me u viktimizu, ajo vet e ka quajt veten, unë nuk kam tentuar ta ofendoj por ajo e ka quajtur veten Sherif, nuk ofendoj gjininë femërore, por viktimizimi i vazhdueshëm nuk është i mirë, nëse e keni marr si ofendim unë vetëm jam bazuar në fjalët e juaja”, ka thënë Lushtaku.

Dje në Seancën e Kuvendit, deputeti nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala njëherësh nënkryetar i Kuvendit dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj (LDK), janë përfshirë në polemika me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani lidhur me kompetencat dhe rregulloren e Kuvendit të Kosovës në rastin e deklaratave të kryeparlamentares.

Fillimisht, kryeparlamentarja Vjosa Osmani komentoi disa deklarime të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.

Me pas reagoi deputeti Shala duke thënë se Osmani nuk mund të jap komente nga pozita e kryetares.

“Për procedurë e kërkova fjalën zonja kryetare dhe që të shpejgojmë procedurën. Ju nga ai pozicion si kryetare e Kuvendit nuk keni të drejtë të komentoni askënd dhe s’keni të drejtë të jepni konkluza të tilla sepse vetë e hapni debatin. As nga ky pozicion si kryetare e Kuvendit s’mund të bëni ndërhyrje të tilla”, tha Shala.

 

Kurse Osmani tha se e di mirë leximin e rregullores së Kuvendit.

“Duhet ta kuptoni njëherë e mirë që i di fort mirë, i kam lexuar, jam katër mandate deputet por jeni mësuar ju me kryetarë kuvendesh të cilët i keni quajtur vetë banda mafioze e tash udhëheqjen e seancave në përputhje me rregulloren nuk po mund ta përballoni. Ta dini njëherë e mirë neni i rregullores në bazë të së cilës bëhen deklaratat e ministrave po ashtu thotë që në atë pjesë të rregullores mund ta marrin fjalën deputetët, qoftë për komente, qoftë për replika. Por që të dyja, duhet të bëhen në marrëveshje me kryetaren”, tha ajo.

“Zotëri ministër në këtë rast, mos fyej sepse nuk je tu u nalë. Ministri këtu po thotë mos na rrej. Po e tregon mungesën e edukatës. Kaq”, shtoi Osmani duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt (LDK).

Kurse, Zemaj reagoi duke thënë se nuk i ka thënë Osmani “mos rrej”.

“Kryetare, të kisha lutë që si e para e Kuvendit edhe si njëra nga 120 deputetët është pak mirë që debatin ta orientoni në relaksim të situatës edhe nëse ka ndonjë tension ndërmjet deputetëve ao kabinetit qeveritar me deputetët e  Kuvendit. Nuk ju thash mos na rrej se unë jam djalë i mësueses, por mos na gënje e them atë fjalë, por vetëm thash mos na rreh se mu dok që ishe pak e tensinuar dhe ishte për ta relaksuar debatin”, tha Zemaj.

Ndërsa në vazhdom të debatit, Osmani tha se roli i saj si kryetare e Kuvendit nuk është vetëm teknik.

“Siç do të thonin miqtë tanë amerikanë “There is a new Sheriff in town” kështu që duheni të mësoheni me një lexim të drejtë, me një lexim të përpiktë, me një lexim që i trajtojnë të gjithë të barabartë por mbi të gjitha, ka shumë këtu që dëshirojnë që rolin tim si kryetare e Kuvendit të shohin si rol tërësisht teknik, ku nuk kam të drejtë të mbaj qëndrime politike. Duhet ta harroni një gjë të tillë sepse nuk ka për të ndodhë kurrë”, tha Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani deputetit të LDK-së, “There is a new Sheriff in town”