Mërgim Lushtaku: Buxheti i prezantuar nga VV-ja është buxhet i mashtrimit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku e ka quajtur buxhet i mashtrimit, projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2022 të prezantuar gjatë seancës së Kuvendit nga ministri i financave, Hekuran Murati.

Lushtaku tha se në buxhetin e vitit 2022 nuk ka shifra që evidentojnë përmasimin e jetës së qytetarëve në shëndetësi e arsim.

Ai theksoi se rritja e prezantuar ekonomike nga Qeveria e Kosovës është po ashtu mashtrim, ndërsa kritikoi atë për mos planifikim të ligjit të pagave.

“Qeveria Kurti 2 i ka mashtru qytetarët për rritjen e pagave. Treguesit ekonomik të vitit 2022 janë shqetësueses sepse nuk kanë të bëjnë me realitetin ekonomik. Dëshira jonë është që ekonomia të jetë 7.8 për qind, por kjo është vetëm mashtrim i qeverisë. Nuk ka bërë veprim për rritjen e pagesës minimale për sektorin privat. Rritja e buxhetit duke rrit borxhin nuk është mirë për ekonominë tonë. Nuk ka bërë asnjë planifikim për ligjin e pagave”, tha ai.