Foto: Ilustrim

MEPTINIS tregon çfarë ndodh me mallrat nga Serbia që hynë para 30 majit

Të gjitha mallrat që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia para datës 30 maj sipas Ligjeve të Kosovës nuk do të largohen nga tregu.

Kështu ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike përmes një sqarimi rreth udhëresës së datës 30.05.2020.

Në sqarim thuhet që të gjitha mallrat që tentojnë të hyjnë dhe hyjnë në Kosovë dhe që nuk i referohen Kosovës si Republikë, do të largohen nga tregu.

“Vetëm pas datës në Urdhëresë d.m.th. nga data 30.05.2020 e tutje mallrat që hyjnë nga Serbia të cilat nuk i referohen Republikës së Kosovës si Republikë e Kosovës, largohen nga tregu. Mallrat që kanë qenë në Treg para kësaj date që kanë hyrë sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës janë në rregull dhe nuk duhet të largohen nga tregu. Inspektorati i Tregut nuk ka marrë asnjë veprim të palejuar ose në dëm të bizneseve që respektojnë ligjin. Obligohen të gjithë Inspektorët Komunal në tërë Republikën e Kosovës që të zbatojnë ketë Urdhëresë”, thuhet në njoftim.

Qeveria Kurti ka filluar zbatimin e reciprocitetit ndaj shtetit të Serbisë pasi ka hequr tarifën 100 për qind.

Me datën 30 maj, ekzekutivi ka marrë vendim, i cili parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.mallra