Skafi në plazhin Potam ku mbeti e vdekur 7 vjeçarja, Foto: Esmeralda Keta/Facebook

“Mëngjes i trishtë sot në Potam”, publikohen foto nga vendi ku 7-vjeçarja u godit për vdekje nga mjeti lundrues në Himarë (FOTO)

Gazetarja Esmeralda Keta ka publikuar disa foto nga vendi i ngjarjes pas tragjedisë së djeshme në Himarë, ku në plazhin e Potamit një vajzë 7-vjeçare u përplas për vdekje nga një skaf teksa ishte në breg.

Në fotot e publikuara shihet plazhi i zbrazur pas ngjarjes së djeshme. Ndërsa afër shezlloneve të familjes së 7-vjeçares, shihet rrobat, një lule dhe një kukull.

Foto: Esmeralda Keta, Facebook

Shkrimin e saj Keta e ka filluar duke e cilësuar mëngjesin e sotëm si të trishtë pas ngjarjes së djeshme.

“Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezllonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur…”, ka shkruar Keta në profilin e saj në Facebook.

“Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurtë

Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë ëngjëll”, ka vijuar ajo.

Foto: Esmeralda Keta, Facebook
Foto: Esmeralda Keta, Facebook

Kujtojmë se shtetasi që po drejtonte mjetin lundrues ishte polici Arjan Tase. Ai në dëshminë e tij në prokurori ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin. Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë.

Tase mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.