Ardita Ukshini, AAK

Mendoi ndryshe nga partia, AAK përzë asamblisten

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan, ka përjashtuar nga radhët e saj asamblisten e zgjedhur, Ardita Ukshini.

Përmes një njoftimi, AAK tha se Ardita Ukshini nuk veproi sipas një vendimi të partisë në lidhje me votimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan pas analizimit të seancës së sotme të Kuvendit Komunal në Gjilan në të cilën u votua për kryesuesin e Kuvendit, duke u bazuar në Statutin e Partisë, mori këtë vendim: Asamblistja e AAK-së në Gjilan, Ardita Ukshini, të lirohet nga të gjitha funksionet në parti si dhe nga Grupi i Asamblistëve të AAK-së në Kuvend”, thuhet në njoftim.

Në fund, AAK dha edhe arsyet e shkaktimit të Ardita Ukshinit.

“Mendimi dhe fjala e lirë janë të garantuara me statutin e partisë, por veprimet që bien ndesh me vendimet e shumicës dhe të partisë, janë të papranueshme. Andaj, asamblistja jonë, Ardita Ukshini në seancën e sotme të Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me vendimin e partisë, duke shpërfaqë interesat personale para atyre partiake e qytetare”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot, Kuvendi Komunal në Gjilan zgjodhi kryesuesin ndërsa, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje lidhi koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Lutfi Haziri reagon pas koalicionit LVV – PDK në Gjilan

www.kallxo.com