Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi: Protagonizmi personal Kurti-Rama po dëmton marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri asnjëherë nuk duhet t’i nënshtrohen marrëdhënieve personale të kryeministrave të dy shteteve, që sipas tij janë në detyrë në momente të caktuara.

Krasniqi konsideron se ka qenë e pakuptimtë për secilin qytetar në Kosovë që kryeministri Albin Kurti të merrte pjesë në fushatë zgjedhore në Shqipëri.

Ai thotë se është kontribut negativ në raportet Kosovë-Shqipëri që kryeministri Kurti të mbështetë kandidatë në Shqipëri, kandidatë ‘që edhe ashtu dështuan’.

“Unë pranoj që protagonizmi personal, tendenca për të treguar se cili është më i rëndësishëm se tjetri e ka dëmtuar këtë proces” ka thënë Krasniqi në një intervistë për Euronews Albania.

Për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, kryeministri Albin Kurti i kishte mbështetur  tre kandidatët Iliaz Shehu, Kreshnik Merxhani dhe Boiken Abazi.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, deputetët Armend Muja, Fatmire Kollqaku, Tinka Kurti, Enver Dugolli, Salih Zyba, Valon Ramadani, Agon Batusha, ishin disa nga figurat e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë publikuar fotografi nga Shqipëria gjatë fushatës së zgjedhjeve atje.