Memli Krasniqi po qëndron në Bruksel para se të niset për në Uashington

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ka takuar eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, njëherit ko-president i ALDE-s.

Sipas njoftimit të PDK-së, Krasniqi gjithashtu ka zhvilluar takime edhe me eurodeputetët liberalë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ai është takuar ndaras edhe me Felix Mittermayer nga partia austriake NEOS dhe eurodeputetin Malik Azmani nga partia holandeze VVD.

“Rrjetëzimi i PDK-së me liberalët e Bashkimit Evropian, procesi i reformave partiake, si dhe sigurimi i mbështetjes së tyre drejt synimit tonë për t’u bërë pjesë e familjes liberale ishin disa nga temat për të cilat u dakorduam të përqendrojmë komunikimin e mëtutjeshëm. Me partnerë dhe miq të tillë, fuqizimi i PDK-së në skenën politike evropiane është i sigurt dhe do të ndihmoj aspiratën e Kosovës për integrim!” – ka deklaruar Krasniqi sipas njoftimit.

Po ashtu, kreu i PDK-së ka takuar edhe eurodeputeten nga Suedia, Abir Al-Sahlani, e cila në mbështetje të protestave anti-qeveritare në Iran pati prerë flokët e saj gjatë seancës së Parlamentit Evropian.

Krasniqi ka diskutuar me eurodeputeten Al-Sahlani për vizionin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë.

Përveç në Bruksel, lideri i opozitës dhe i PDK-së, Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare gjatë javës do të qëndroj edhe në Uashington.