Foto: PDK

Memli Krasniqi nga Zvicra: Unë jam kundërshtar politik i Albin Kurtit, por Kosovën e kemi të përbashkët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka marrë pjesë në manifestimin e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga dega e PDK-së në Zvicër.

Në fjalimin e tij para mërgimtarëve, Krasniqi deklaroi se në Kosovë është krijuar gjendje e rënduar për shkak të Qeverisë Kurti, të cilën ai e quajti “të paaftë”.

“Unë jam kundërshtar politik i Albin Kurtit, por Kosovën e kemi të përbashkët, dhe unë e dua një Kosovë të mirë e prosperuese, pavarësisht pozicioneve politike që kemi sot a nesër. Realiteti i brishtë i periudhës aktuale në Kosovë, që edhe ju e dini dhe po e shihni, nuk lidhet me betejat tona politike ditore, lidhet me gjendjen e rëndë që e ka përfshirë Kosovën, e që fatkeqësisht, është krijuar nga një pushtet totalisht i paaftë për ta ndalë degradimin e mëtutjeshëm” – deklaroi Krasniqi, njoftoi PDK-së.

Krasniqi ka thënë se me diasporën para se t’i lidhë politika i lidhë edhe rrugëtimi i përbashkët për liri.

“E kam thënë edhe më parë, e më duhet ta përsëris edhe sot, se diasporën tonë dhe Partinë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët. Kjo është manifestuar pikërisht këtu në Zvicër, prej ku liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju, kanë punuar për ta ngritur UÇK-në, e përmes saj, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”- tha ai.

Krasniqi ftoi bashkatdhetarët që përmes PDK-së të kontribuojnë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit.

“Prandaj, në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë, ju ftoj që të bëhemi bashkë, si bashkëkombës e bashkë partiakë, që të lidhemi edhe më fort dhe që së bashku e të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, të punojmë pa u ndalë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit. Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur, për juve e për gjithsecilin”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka kritikuar pushtetarët pasi, sipas tij, po hezitojnë t’i përmendin ish-krerët e UÇK-së që po mbahen  në paraburgim në Hagë, edhe në ditën e festës së Pavarësisë.

“Edhe sot, përderisa pushtetarët në Kosovë hezitojnë t’i përmendin edhe kur kemi festë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po e vazhdojnë betejën për nderin e Kosovës, për të vërtetën tonë kombëtare dhe për nderin e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi”- theksoi Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur edhe largimin e të rinjve për një jetë më të mirë jashtë Kosovës. Ai fajësoi qeverisjen e Qeverisë Kurti.

“Të rinjtë e të rejat kanë potencial, por ju duhet edhe një adresë që i sheh e i nxjerr në dritë. Ata meritojnë t’i kenë Kosovë mundësitë që i kanë fëmijët e juaj këtu dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht qëndroj në politikë. Që Kosovën mos ta lëmë të zbrazet, por ta bëjmë të qëndrojë në këmbë të veta, e t’ia mundësojë rinisë një jetë me dinjitet e perspektivë. Për ta bërë këtë gjë, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne, mbi Partinë Demokratike të Kosovës, sepse ju e dini se nuk ka punë, as projekt, as zhvillim që është bërë në Kosovë, e që nuk e ka vulën e PDK-së” – shtoi ai.

“E kemi mision dhe qëllim politik që të bëhemi bashkë, sepse qëllimin e kemi të pastër e misionin e drejtë, dhe misioni ynë është transformimi i Kosovës”- ka thënë mes tjerash kreu i PDK-së.

Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, i ka falënderuar të gjithë shqiptarët e Zvicrës për mbështetjen e Partisë Demokratike dhe vizionin e ri për të ardhmen e vendit.

Të premten më 17 shkurt, Kosova shënoi 15-vjetorin e Pavarësisë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.