Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi: Mbajtja e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës antikushtetues dhe shkel sovranitetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë ka thënë se qeveria nuk duhet të lejoj mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë pavarësisht kërkesës së BE-së dhe vendeve të Quint-it.

Krasniqi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se një referendum i tillë do të përbënte shkelje të sovraniteti.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, tha ai për KALLXO.com.

“Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ai.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu- Shoshi ka konfirmuar të njëjtën gjë.

“Nuk duhet të lejohet referendumi në Kosovë, mendoj që opsionet që i ka dhënë qeveria duhet të jenë e vetmja mënyrë sesi serbët mund të votojnë. Ata qytetarë mund ti shfrytëzojnë këto opsione, mirëpo jo të organizohet një referendum brenda për brenda republikës, sepse kjo e shkelë sovranitetin tonë”, tha ajo.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë  këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Ndërsa Serbia kërkon që ky referendum të mbahet ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët, edhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i lejoj qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.