Memli Krasniqi- Kurtit: Thirri mendjes e merr vendime

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, në seancën në të cilën po diskutohet për tarifën 100 për qind ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që nuk është i pranishëm në seancë.

“Kryeministri shkoi e nuk u kthye më. Ai do të duhej të ishte këtu me respektu debatin. Ndoshta është lodhur prej diskutimeve dhe për fat të keq ato të koalicionit qeverisës ishin të pakoordinuara”, tha ai.

Sipas Krasniqit, Lëvizja Vetëvendosje nuk guxon të vendos reciprocitetin por as nuk po e arsyeton vetveten.

“Sot kryeministri na foli për reciprocitet por atë nuk po guxon me e vendos, a po e ndal LDK-ja apo nuk e ka ndërmend fare me e vendos, as pas 15 ditësh. Cila është e vërteta këtu. S’po dini as qysh me arsyetu vetveten e as ndryshimin e qëndrimeve te juaja”, tha ai.

Sipas Krasniqit, për Qeverinë Kurti “presidenti disi i është bërë traumë e rëndë politike’”.

Sipas deputetit të PDK-së, Albin Kurti duhet të marrë vendime dhe ta heqë taksën.

“Arsyeja e vetme është kërkesa e ShBA-së, hiqni taksën e pozicionoheni pro Amerikës. Thirri mendjes e merr vendime, nuk priten më poezi e vjersha”, theksoi ai.

Kuvendi është duke vazhduar debatin për tarifën 100 për qind për të cilën Kryeministri Kurti javën e kaluar ka propozuar një planë të ri për largimin e saj.