Memli Krasniqi i fton deputetët e Vetëvendosjes që të jenë të guximshëm për votimin e tërheqjes së Trustit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar deputetët e pozitës që të votojnë pro projektligjit, i cili mundëson tërheqjen e një pjese të mjeteve të kursyera pensionale.

“E di që kur je deputet i shumicës nuk është e lehtë, unë kam qenë disa herë. E di që vjen kryetari i grupit ose kryeministri dhe thotë s’bon. Unë ju ftoj me qenë deputetë të qytetarëve”, tha Krasniqi.

Krasniqi ju ka dhënë leksion deputetëve në pozitë duke thënë se qytetarët kanë nevojë për ta.

“Kryeministri iu ka shti në listë por deputetë ju kanë bo qytetarët e juaj. Ata që kanë nevojë sot për juve edhe për votën e secilit prej neve. Guxoni sot”, tha ai.

Krasniqi tha se nëse është më lehtë të votohet me votë të fshehtë të kërkojnë mocion.

“Nëse mendoni që është ma lehtë hajde po bëjmë mocion për me votu fshehtë”, tha Krasniqi.

“Ju keni guxuar për Kodin Civil gjysma nuk e keni dëgjuar kryeministrin e keni dëgjuar ndërgjegjen”, përfundoi Krasniqi.

Kuvendi sot po e diskuton mundësinë e tërheqjes së TRUST-it. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në cilësinë e iniciuesit e ka prezantuar sot në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensionale të Kosovës.

 

Haxhiu: Kërkesa për tërheqjen e TRUST-it buron nga qytetarët