Memli Krasniqi: Fitorja e Thaçit dhe Veselit do të jetë vulë e historisë së lavdishme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës, ku ka vizituar familjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët tashmë një vit po gjykohen për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.

Krasniqi ka thënë se fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte, do të jetë vulë e historisë së lavdishme të Kosovës.

Krasniqi ka shkruar në profilin e tij në Facebook, se malli i familjarëve të Thaçit dhe Veselit është i madh, por më e madhe është krenaria që ata kanë për bijtë e tyre.

“Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar. E vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e patjetërsueshme e nuk mund të deformohet kurrë. Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në Facebook.