Memli Krasniqi falënderon delegatët e PDK-së

Kryetari i porsazgjedhur i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehu mirënjohës ndaj delegatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, për votën që i dhanë për kryetar të partisë.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Krasniqi tha se familja e përbashkët politike, siç e quajti ai, ka nisur një kapitull të ri.

“PDK është parti e njerëzve të mirë të Kosovës – e çlirimtarëve e patriotëve, intelektualëve e vizionarëve, mësuesve e profesorëve, mjekëve e infermierëve, artistëve e sportistëve, ndërmarrësve e mërgimtarëve, fermerëve e punëtorëve, grave e burrave që synojnë një jetë të dinjitetshme dhe një shtet që i bën krenarë”, ka shkruar ai.

Krasniqi, tutje ka thënë se do të bëj gjithçka, sipas tij, që PDK-ja të rikthehet aty ku i takon, si partia me vizionin më të qartë për vendin.

“Dhe për të arritur këtë qëllim, e konsideroj fundamental unitetin tonë të rikonfirmuar sot për rrugën para nesh, për nevojën e çlirimit dhe mobilizimit të potencialit tonë të brendshëm dhe bashkëdyzimit të tij me vlerat dhe energjitë e reja që do bashkohen me ne në këtë projekt të ri politik për PDK-në”, ka shkruar në fund Krasniqi.