Foto: ZKM

Memli Krasniqi e quan Albin Kurtin veteran të rrejshëm

Kryetari i partisë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “veteran i rrejshëm”.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kurti sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë.

“Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga ‘veterani’ i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë. Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjitetshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, kjo fyerje që po u bëhet veteranëve është e pa pranueshme.

“Kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativave ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm”, shkroi ai.

Sipas Krasniqit, Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve tanë në këtë mënyrë.

“Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dinë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata kishin tentuar të hyjnë brenda Kuvendit të Kosovës gjatë protestës.

Veteranët janë duke e kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

VIDEO – Policia përdor sprej ndaj veteranëve protestues