Foto: Memli Krasniqi/Facebook

Memli Krasniqi: Deri në vitin 2025, PDK do të ketë 50 për qind gra në pozita udhëheqëse

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se rrugëtimi i kësaj partie nuk mund të jetë i sukseshsëm pa gra që prijnë në secilin drejtim.

Ai gjatë fjalimit në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës shtoi se formula e tyre është 50% me 50% përfshirje e grave dhe burrave.

Krasniqi tutje shtoi se në Konventën e ardhshme zgjedhore do t’i propozojë ndryshimet statutore për zbatim të këtij vizioni.

Tutje, i pari i PDK-së tha se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozicioneve udhëheqëse.

Sipas Krasniqit, do të synojnë që listat kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30%, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:

Rrugëtimi i PDK-së nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë.

50% me 50% është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë.

Në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, unë do t’i propozoj ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, do ta bëjmë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit tonë, të kenë ndarje të barabartë të pozicioneve udhëheqëse, pra 50/50, duke përfshirë pozitat e Kryetarëve, Nënkryetarëve dhe Sekretarëve.

Në zgjedhje lokale, aty ku kandidatja ose kandidati për Kryetare ose Kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër.

Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30%, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar.

Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna, qe disa mandate.

Unë besoj se gratë nuk mund të vazhdojnë të përshtaten, por ato duhet të ngriten e të marrin në dorë fuqinë që ju takon, për ta bërë Kosovën vendin që e kemi synuar e që e synojmë për vete e për fëmijët tanë.

Dhe kjo do jetësohet brenda PDK-së, e me PDK-në në qeverisje, do të jetësohet gjithandej Kosovës.