Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi deklarohet pas takimit me Escobar dhe Lajçak

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është deklaruar pas takimit që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Krasniqi ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ka mungesë të transparencës nga ana e kryeministrit në raport me dialogun.

Kreu i PDK-së ka thënë se në takim me Escobar dhe Lajçak ka shprehur qëndrimin, sipas tij, konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë.

Ai ka shkruar se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë kërkohet angazhimi i të gjitha palëve.

“Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike” – ka shkruar Krasniqi.

“Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut” – ka vazhduar tutje ai.

Në fund, i pari i PDK-së ka thënë se partia e tij beson se prioritet duhet të jetë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE.

“PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak po qëndrojnë në vizitë të përbashkët zyrtare në Kosovë. Përveç presidentes, ata janë takuar edhe me kryeministrin Kurti, si dhe liderët e opozitës.

Pas Kosovës, të dy diplomatët do të vazhdojnë vizitën zyrtare në Serbi, në përpjekje për të arritur një marrëveshje para 1 shtatorit, atëherë kur Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe ndalimin e përdorimit të targave të automjeteve serbe.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

Escobar dhe Lajçak presin propozim konkret për targat dhe dokumentet serbe