Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza/ Foto:PDK

Memli Krasniqi: Bedri Hamza ka nisur me shumë projekte se Qeveria Kurti

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza për gjashtë muaj ka nisur më shumë projekte se Qeveria Kurti.

Krasniqi këtë e kishte thënë në vizitën e tij në Mitrovicë, i cili ka thënë se ndjehet i kënaqur me punën e të parit të kësaj komune.

“Ajo që vlen edhe në Mitrovicë të theksohet është fakti që krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjetet vetanake të komunës dhe me donacionet që z. Hamza ka arritur t’i marrë nga donatorët e shumtë ndërkombëtarë. Por, vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore”, është shprehur Krasniqi.

“Këtu edhe një herë e bëjmë një ftesë që e kemi bërë anë e kënd Kosovës në vizitat tona në terren, që qeveria duhet të kthjellet, duhet të kthejë sytë kah komunat, duhet të komunikojë e të bashkëpunojë me kryetarët e komunave, sepse në fund të fundit këta janë adresa e parë e qytetarëve të Kosovës. Për 6 muaj, kryetari Bedri Hamza ka nisur më shumë projekte se Qeveria e Albin Kurtit”, ka shtuar ai.

Krasniqi, nga Mitrovica edhe njëherë i bëri thirrje Qeverisë Kurti që t’i marrë parasysh kërkesat e komunave për rishikim të buxhetit për t’iu përgjigjur nevojave dhe prioriteteve të tyre.

Ndërkaq, i pari i Mitrovicës, Bedri Hamza tha se është duke testuar projekte të rëndësishme që e ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës.

“I kam njoftuar që jemi duke testuar projekte të rëndësishme që e ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës, jemi në dinamikën e realizimit të punimeve. I informova me prioritetet e Komunës së Mitrovicës dhe i falënderoj edhe një herë për mbështetjen e plotë”, ka theksuar Hamza.

Kreu i PDK-së ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës në kuadër të turit e vizitave që lideri i opozitës ka nisur nëpër komunat e Kosovës.