Memli Krasniqi: Albin Kurti duhet ta dijë se jeta institucionale nuk është video-lojë

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka folur para gazetarëve.

Krasniqi tha se vendimet e sotme të Kryesisë janë të përkohshme, për të mos bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës në Këshillin e Europës.

Gjithashtu, Krasniqi pati kritika për partitë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe LDK, që nuk e kanë formuar ende qeverinë.

Krasniqi deklaroi se Albin Kurti duhet të dijë se jeta institucionale nuk është video-lojë.

“Kanë kaluar rreth 106 ditë kur kanë përfunduar zgjedhjet, dhe ne as nuk kemi qeveri as Kuvend. Kërkesa jonë në vazhdimësi prej 6 tetorit,që ata që kanë marrë mandat t’i mbushin obligimet. Albin Kurti duhet ta dijë se jeta institucionale nuk është video-lojë. Ne duhet t’ia rikujtojmë që nuk është përgjegjësi veq ta marrë një letër, por të krijojë institucionet. Ne presim që ata obligimet që i kanë t’i kryejnë sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Krasniqi.

Kur u pyet nga gazetarët, se a është kontaktuar PDK-ja nga partitë fituese të zgjedhjeve, në lidhje me formimin e qeverisë, Krasniqi tha se dihet pozicioni i PDK-së.

“Pozicioni i PDK është i qartë prej datës 6 tetor, ne e kemi bërë të qarteë se ne qëndrojmë në opozitë. Nëse do të merrnim ftesa ne nuk do të përgjigjeshim. Na mbetet të shohim cilat janë zhvillimet”, tha Krasniqi.