Giorgia Meloni dhe Edi Rama në konferencë për media/ Video-Foto: Edi Rama-Fcb

Meloni në Shqipëri: Marrëveshja për emigrantët, model për vendet e tjera të BE-së

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i vizitoi të mërkurën dy qendrat për pritjen dhe strehimin e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër në veriperëndim të Shqipërisë.

Me një marrëveshje me Romën, të nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, Tirana ra dakord që t’i pranojë azilkërkuesit e kapur nga autoritetet italiane në Detin Mesdhe dhe t’i strehojë ata derisa kërkesat e tyre të përpunohen.

Duke folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Meloni tha se kjo marrëveshja “po shërben si model për shtete të tjera të Bashkimit Evropian”, pavarësisht kritikave nga opozita në të dy vendet.

“Emigracioni i jashtëligjshëm është fenomen shqetësues në BE, asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm, por duhet edhe ndihma e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, si dhe e atyre jashtë BE-së. Nuk na mbetet tjetër, veç ta forcojmë këtë bashkëpunim”, tha Meloni.

Italia do ta financojë ngritjen e qendrave të pritjes në Shëngjin dhe në Gjadër – si dhe do t’i paguajë shpenzimet për sigurinë dhe kujdesin mjekësor të emigrantëve.

Në Shqipëri, opozita e kundërshtoi marrëveshjen, duke thënë se kishte mungesë transparence.

Meloni shtoi se “15 vende të BE-së tashmë kanë firmosur dhe i kanë dërguar një apel Komisionit Evropian për të kërkuar që të ndiqet ky shembull. Edhe vetë Qeveria gjermane; ministri i saj i Brendshëm këshilloi ndjekjen e këtij modeli”.

Ndërkohë, Rama tha se Shqipëria ka marrëdhënie të veçanta me Italinë dhe kjo është arsyeja pse ka bërë marrëveshje për emigrantët me të.

Ai tha se ka Shqipëria i “refuzuar të tilla kërkesa” nga shtete të tjera.

“Këtë mundësi e kemi dhe këtë mund ta shfrytëzojmë vetëm me Italinë për 1001 arsye, të së sotmes dhe të nesërmes, nuk ka asnjë kalkulim tjetër… Do funksionojë apo jo, këtë do ta tregojë koha, por kjo është një marrëveshje zemre, jo e bazuar në llogaritje”, tha Rama.

Sipas marrëveshjes, fillimisht pritet të strehohen rreth 3.000 persona, ndërsa në një vit fluksi emigrator mund të shkojë deri në 36.000 persona.

Në qendrën e pritjes së emigrantëve në Shëngjin, punimet përfunduan të martën mbrëma, ndërsa në atë të Gjadrit punimet po vijojnë.

Meloni tha se të dyja qendrat do të jenë funksionale nga 1 gushti.

Ajo e falënderoi homologun e vet Edi Rama për ndihmën që Shqipëria ka dhënë për çështjen e emigrantëve duke nënshkruar marrëveshjen me Italinë./REL