Meliza Haradinaj: Vizita e Vuçiqit do të konsiderohej provokuese dhe e parealizueshme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se vizita, për të cilën raportuan mediat, se do të mund të ndodhte nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të mund të realizohej.

Njoftimi i MPJD-së thekson se Vuçiq nuk ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë.

“Edhe sikur të kishte kërkesë për lejimin e vizitës së Vuçiqit në Kosovë, ajo do të konsiderohej provokuese dhe kundërproduktive, dhe si e tillë e parealizueshme.

Ministrja e këtij dikasteri e ka vlersuar si të panevojshme një vizitë të mundshme të presdeintit serb në Kosovë këto ditë.

“Gjithsesi, në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Washington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë”, citohet të ketë thënë kryediplomatja e Kosovës.

Për vizita të krerëve të Serbisë në Kosovë, MPJD ka thënë se ata duhet të bëjnë një kërkesë të paktën 72 orë më herët.

“Kërkesa duhet parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zyra jonë Ndërlidhëse në Serbi, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pika 2/a e marrëveshjes e saktëson se për grupin e parë të zyrtarëve (që përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes) kërkesa duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Ministrja Haradinaj Stublla duke potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në avancimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, ka kujtuar se Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, prandaj nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar”, thuhet në fund të komunikatës për media.