Seanca ndaj Meliza Haradinaj-Stublla për raportim të rremë të pasurisë FOTO- Shyhrete Maliqi/KALLXO.com

Meliza Haradinaj del para gjykatës, deklarohet rreth fajësisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë ka dalur sot para gjykatës nën akuzën për mosdeklarim të pasurisë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Bekim Kodraliu, Haradinaj  deklaroi se e ka kuptuar akuzën dhe nuk e pranon fajësinë.

“Jam absolutisht e pafajshme”, tha shkurt Haradinaj.

Seanca është duke vazhduar ku pritet të jepet fjala hyrëse e palëve.

Kujtojmë se pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën dhe e kishte dënuar me 8 muaj burg me kusht si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Merita Stublla, kurse sot pas më shumë se një viti e gjysmë, Gjykata e Apelit mori vendim dhe lëndën e ktheu në pikën zero.

Sipas Gjykatës së Apelit aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Ëoolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.