Mekanizmi i çalë i mbrojtjes i lë në baltë gratë e dhunuara

Mekanizmi i mbrojtjes për gratë e dhunuara ngarkon pushtetin vendor me një sërë detyrash, por bashkitë e  rrethit të Shkodrës nuk kanë as buxhet as personel për të trajtuar rastet, një pjesë e mirë e të cilëve mbeten pa ndihmë.

E martuar 16 vjeç me një oficer policie, S.H, tregon se ishte viktimë e dhunës që në fejesë.  I shoqi, i cili luan bixhoz, përdor drogë dhe alkool, është njëkohësisht i armatosur dhe jo rrallë e ka kërcënuar me armën e shërbimit. “Kam marrë ilaçe pasi ai më qëllonte kryesisht me grushte në kokë dhe kisha dhimbje koke”, thotë gruaja.

Tani 23 vjeç dhe nënë e 3 fëmijëve, me  20 nëntor të vitit S.H. debatoi me bashkëshortin pasi ai nuk po paguante qiranë e shtëpisë. Ai e qëlloi për të disatën herë dhe ajo u largua nga shtëpia së bashku me fëmijët.

E paqartë për fatin e një denoncimi në prokurori të bërë më herët, gruaja iu drejtua qendrës së gruas “Hapa të Lehtë” për të kërkuar ndihmë. Ajo thotë se u strehua te prindërit e frikësuar për jetën.

Një punonjëse sociale e shoqëroi në polici dhe gruaja kreu procedurat për një urdhër mbrojtje të menjëhershëm. Por pasi gjykata i la afat disa ditë për të sjellë prova që urdhri i mbrojtjes të konfirmohej, ajo u përball me burokracitë dhe neglizhencë në prokurori.

S.H, tregon se e pati të vështirë të merrte denoncimet nga prokuroria dhe seanca për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes u shty disa herë. Hetimet për denoncimin ndërkohë kishin ngecur dhe nuk ishte marrë asnjë hap për shqyrtimin e çështjes derisa për të u interesuan punonjëset e qendrës.

“Këtu fillon edhe kalvari i paragjykimit nga institucionet të cilat ne vend qe të zbatojnë ligjin fillimisht e paragjykojnë rastin,” thotë Denada Shpuza, drejtuese e qendrës “Hapa të Lehtë”, e cila ndoqi rastin.

Të dhënat e gjykatës së Shkodrës tregojnë se një pjesë e mirë e atyre që kërkojnë urdhër mbrojtje thyhen pas kësaj hallke të parë. Nga 384 kërkesa për urdhra mbrojtjeje në vitet 2019 dhe 2020, 230 ose rreth 60 për qind janë miratuar në gjykatë.

Ndërkohë për shumë gra të dhunuara mospasja e një urdhri mbrojtjeje, përkthehet me mungesë të ndihmës prej institucioneve vendore pjesë e Mekanizmit të Referimit të Dhunës në Familje. Kjo përfshin kujdesin nga policia që dhuna të mos përsëritet apo edhe të drejtën e një ndihme simbolike prej 3 mijë lekësh në muaj.

Sorollatje e pengesa për ndihmë simbolike

Dhuna në familje është një nga problemet më të mprehta me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, në vitin 2019 pati 4177 raste të dhunës në familje të identifikuara nga policia, 2836 kërkesa për urdhër mbrojtje dhe 17 viktima.

Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2016, viktimat e dhunës në familje që sigurojnë një urdhër mbrojtjeje janë përfituese të ndihmës ekonomike nga pushteti vendor.

Tre bashkitë që përfshihen në rrethin gjyqësor të Gjykatës së Shkodrës, i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për informacion se kishin dhënë ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj për 98 gra të dhunuara në dy vjet. Kjo i takon rreth 25 për qind e atyre që kanë kërkuar një urdhër mbrojtjeje dhe rreth 42 për qind e atyre që e kanë marrë një të tillë.

Denada Shpuza e cila drejton qendrën e Gruas “Hapa të Lehtë”  tha për BIRN se paragjykimet dhe sorollatjet apo mungesa e përgjigjeve në institucione i dekurajojnë denoncueset. Ajo thotë se një numër ende i madh vajzash e grash nuk e denoncojnë dhunën dhe mjaft prej tyre nuk kërkojnë as ndihmë pranë bashkive apo institucioneve të tjera.

“Edhe në gjykatë përballen me presione që justifikohen me përpjekjet për të bashkuar çiftin,” tha Shpuza, duke iu referuar 2012 rasteve që qendra “Hapat e Lehtë” ka ndjekur në dy vitet e fundit.

Ajo thotë se në mjaft raste gratë përcillen nga policia apo institucionet pa qenë të informuara për përfitimet dhe po ashtu ndodh edhe që nuk marrin as kopje të urdhrit të mbrojtjes apo deklarimeve që kanë kryer.

Situata është edhe më e vështirë kur dhuna është psikologjike apo nuk ka shenja të dukshme fizike. Shpuza tregon se në mjaft raste gratë nuk informohen dhe u duhet të bëjnë ‘varravingo’ mes institucioneve.

Sipas saj mjaft herë në kushte presioni gratë nënshkruajnë deklarime përmbajtjen e të cilave nuk e dinë, ndërsa shpesh janë “të përbuzura dhe të paragjykuara”.

“U kërkohet të tërhiqen nga akuza që kanë bërë për dhunuesin,” thotë Shpuza, ndërsa shton se sorollatjet krijojnë probleme shtesë, përfshi dobësimin apo zhdukjen e provave të dhunës.

S.H megjithatë ia doli ta merrte ndihmën ekonomike. Gruaja tregoi se pas kërkesës së ndihmës në qendrën “Hapat e Lehtë” dhe denoncimit të përsëritur, organet e drejtësisë u vunë në lëvizje dhe ajo u pajis me urdhër mbrojtjeje dhe tani është në proces divorci.

Por ndihma që merr për vete dhe tre fëmijët është e pamjaftueshme. Gruaja tregon se u trondit kur gjykata e këshilloi të mos kthehej në familjen e origjinës, pasi ata e kishin martuar në moshë të vogël. Ajo thotë se pa prindërit që e kanë strehuar atë dhe fëmijët ajo nuk kishte asnjë mundësi që t’ia dilte.

Shpuza thotë se viktimat pavarësisht shërbimeve që marrin, që përfshijnë konsulencë apo përfaqësim juridik në gjykatë, konsulencë psikologjike, pagesë qiraje për maksimumi dy muaj, nuk mund t’ia dalin me 3 mijë lekë ndihmë ekonomike.

“Sfida e tyre kryesore është përballim i  jetës të vetme,” thotë ajo, duke shtuar se ndihma është e pamjaftueshme. Shpuza thekson se shumë gra pranojnë të vuajnë për shkak të këtyre problemeve dhe mungesës së zgjidhjeve.

Bashkitë pa staf dhe pa fonde

Bashkitë duhet të ofrojnë ndihmë ekonomike për gratë e dhunuara dhe po ashtu t’i ndihmojnë ato me strehimin apo të sigurohen që ato po marrin shërbimet e duhura, por nga tre bashki që janë nën juridiksionin e Gjykatës së Shkodrës, vetëm ajo e kryeqendrës së veriut duket se ka ngritur kapacitete që mund të ndihmojnë në një farë mënyrë.

Bashkia e Malësisë së Madhe dhe ajo e Vaut të Dejës i thanë BIRN se kishin vetëm një të punësuar dhe në rastin e Malësisë së Madhe personi e kishte këtë si ngarkesë shtesë. Të dy bashkitë pranuan se nuk kishin as buxhet të veçantë për gratë e dhunuara.

Bashkia e Malësisë së Madhe i tha BIRN se në dy vjet kishte ndihmuar ekonomikisht 17 gra, por se buxheti për këtë ndihmë dhe fondi për të trajtuar rastet mbulohej nga një projekt i UNDP (Fondi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara).

Ndërkohë që bashkia e Vaut të Denjës tha se nuk kishte buxhet për dhunën në familje dhe as për trajtimin e viktimave të saj.

Bashkia e Shkodrës thotë se ka 12 qendra, 7 në zonën urbane dhe 5 në atë rurale, në të cilat veç familjeve në nevojë dhe një sërë problemesh sociale, trajtohen dhe janë mbështetur edhe “viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, duke ofruar shërbime sipas nevojave”.

Megjithatë edhe për bashkinë Shkodër financimi i qëndrueshëm i këtyre qendrave është i vështirë.

“Ngritja, financimi dhe qëndrueshmëria e shërbimeve komunitare në zonat rurale, që përbëjnë edhe shumicën e njësive administrative në territorin e bashkisë së Shkodrës mbetet vështirësia më e madhe”, thuhet në përgjigjen e bashkisë firmosur nga kryetarja në detyrë, Voltana Ademi.

Bashkia e Shkodrës thotë se buxheti për rastet e dhunës sigurohet prej donatorëve, OJQ-ve dhe prej vetë bashkisë dhe se pasja e një buxheti të përhershëm është një sfidë.

Ndërkohë nga kryqëzimi i të dhënave të siguruara nga gjykata me ato që bashkitë i dërguan BIRN, tregon se këto të fundit nuk kanë as informacion të plotë mbi numrin e viktimave të dhunës në familje. Bashkitë pretenduan se të gjithë rastet me urdhër mbrojtje përfitonin ndihmë- gjithsej 98 gra të dhunuara, por gjykata që mbulon territorin e tyre thotë se ka lëshuar të paktën edhe 132 urdhëra mbrojtje më shumë se sa rastet e trajtuara me ndihmë.

Shpuza thotë se në mungesë të buxheteve dhe stafeve bashkitë kanë marrë më shumë një rol koordinatori.

“Bashkia më shumë bën rolin e koordinatorit, duke ndërmjetësuar ofrimin e shërbimeve midis aktorëve të ndryshëm dhe duke koordinuar dhe monitoruar shërbimet e ofruara”, thotë Shpuza.

Por bashkitë janë larg mundësive për tu dhënë përgjigje kërkesave të viktimave për strehim afatgjatë, riintegrim apo edhe për të rritur kapacitetet e strehëzave të strehimit emergjent. reporter.al