Jeton Mehmeti

Mehmeti: Nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në një sallë si dy kryetarë

Kryetari aktual i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Jeton Mehmeti ka lëshuar mbledhjen e Bordit pas pauzës, pasi që siç tha ai “nuk ka siguri juridike, pas zgjedhjes së kryetarit të ri”.

“Duke qenë se me shumicë të votave të anëtarëve të KPM-së është zgjedhur kryetari i ri, unë nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në një sallë si dy kryetarë dhe për mua misioni si kryetar i KPM-së merr fund këtu. Nëse thirrim mbledhje tjetër, mund të marrë pjesë si anëtar sepse në bazë të mandatit që na ka dhënë Kuvendi mandati si anëtar vazhdon deri më datën 21.01.2025”- tha ai, dhe më pas lëshoi mbledhjen.

Pas largimit të Mehmetit anëtarët e tjerë nuk kanë vazhduar mbledhjen e bordit të KPM-së për shkak kuorum.

Me katër vota për dhe një votë të pavlefshme, Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Besnik Berisha merr votat për kryetar të KPM-së, Mehmetit i skadon mandati më datë 20 janar

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Niman Racaj tha se sipas rregullores Mehmeti duhet të mbaj pozitën e kryetarit të KPM-së pasi që sipas rregullores së miratuar, kryetari i ri merr detyrën pas përfundimit të mandatit.

Diskutime se kur Berisha nis detyrën e re pati pas përfundimit të votimit të tij si kryetar i KPM-së.

“Askund nuk e tham që ti shkarkohesh apo mandati yt digjet. Ne nuk të kemi shkarkuar. Ne e kemi rastin më të mirë, rastin e Gjykatës Kushtetuese që zgjedhet kryetari më herët”- tha Besnik Berisha, kryetari i sapo zgjedhur i KPM-së.

“Unë nuk kam siguri që pas zgjedhjes, ligji është më i qartë se rregullorja. Unë nuk mundem me vazhdu në këtë gjendje, unë mund vetëm me ta kalu drejtimin e seancës”- tha Jeton Mehmeti, kryetari aktual i KPM-së.

“Unë jam i vetëdijshëm që mandatin e anëtarit nuk ma keni marrë, jam i vetëdijshëm që me këto vota me këtë votim që u bë, unë nuk kam siguri juridike që të vazhdoj drejtimin e mbledhjes. Nuk po iki, nuk po zhdukem”- tha Mehmeti.

Propozohen emrat për kryetar dhe nënkryetar të ri të KPM-së