Ilustrim

Mehmeti: Nuk do të amnistohen policët që shkelin masat anti-COVID

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka deklaruar se asnjë zyrtar policor që ka shkelur masat kundër COVID-19 nuk do të amnistohet.

Mehmeti në intervistë për KALLXO.com tha se të gjitha rastet kur policët nuk kanë respektuar Ligjin për pandeminë janë të adresuara.

“Nuk do të amnistohet asnjë polic që nuk e respekton ligjin, e nuk i zbaton vendimet që ndërlidhen me COVID-19. Të gjitha rastet janë të adresuara. Ne natyrisht që bëjmë procedurë hetimore, edhe IPK në punën e vet që lidhen me kompetencat e tyre. Po amnisti nuk ka ndaj asnjërit… Për neve është shumë më rendësi që të raportohet e ta merr masën disiplinore, në mënyrë që në aspektin profesional, individi t’i përgjigjet detyrave. Ne rastet që nuk e ka mbajt maskën, natyrisht që ndërlidhet me ligjin dhe më shumë i takon Inspektoratit sesa neve. Mirëpo, qëllimi jonë kryesor është që policët të trajtohen në aspektin disiplinor dhe t’i zbatojnë vendimet”, tha ai.

Ligji për pandeminë COVID-19 thotë se personi fizik i cili nuk respekton  vendimin e organit kompetent për mbajtjen e maskës dënohet me gjobë prej 35 euro.

E zyrtarët policorë dënojnë qindra qytetarë çdo ditë për mosmbajtje të maskës.

Në disa raste, qytetarët e gjobitur kanë dërguar fotografi në adresë të KALLXO.com se policët teksa po shkruanin tiketën nuk kanë të vendosur maskë apo edhe në raste të tjera.